Gratë kanë përshkallëzuar protestat në Iran, të shkaktuara nga vdekja në paraburgim e një 22-vjeçareje të arrestuar për shkelje të ligjeve të hixhabit.

Turmat brohoritën kur gratë dogjën hixhabet e tyre në një zjarr në Sari të martën, ditën e pestë radhazi të trazirave.

Të paktën shtatë persona raportohet se janë vrarë që kur protestat kundër ligjeve të hixhabit dhe policisë morale shpërthyen pas vdekjes së Mahsa Amini. Gruaja kurde 22-vjeçare nga qyteti veriperëndimor i Saqezit vdiq në spital të premten, pasi kaloi tre ditë në koma. Ajo ishte me vëllain e saj në Teheran kur u arrestua nga policia e moralit, e cila e akuzoi për shkelje të ligjit që u kërkon grave të mbulojnë flokët me hixhab ose shami dhe krahët dhe këmbët me veshje të gjera. Ajo ra në koma menjëherë pasi humbi ndenjat në një qendër paraburgimi.

Ka pasur raporte se policia e ka goditur në kokë me shkop Amini-n dhe e ka përplasur kokën e saj në një nga automjetet e tyre, tha Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Nada al-Nashif.

Mahsa Amini

Policia ka mohuar se ajo ishte keqtrajtuar dhe tha se ajo pësoi "insuficiencë të papritur të zemrës". Por familja e saj ka thënë se ajo ishte shumë mirë dhe e shëndetshme.

"Vdekja tragjike e Mahsa Amini dhe pretendimet për torturë dhe keqtrajtim duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të paanshme dhe efektive nga një autoritet kompetent i pavarur, që siguron, në veçanti, që familja e saj të ketë akses në drejtësi dhe në të vërtetën," tha Nashif.

Ajo vuri në dukje se OKB-ja kishte marrë video të shumta dhe të verifikuara të trajtimit të dhunshëm të grave, pasi policia e moralit zgjeroi patrullat e saj në rrugë gjatë muajve të fundit për të goditur gratë që perceptoheshin se mbanin "hixhab të lirshëm".

Burimi: BBC