Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një deklarate në Facebook se është vendosur që aplikimi i fashës 800 Kw të mos hyjë në fuqi në muajin tetor, siç ishte njoftuar ditë më parë.

Ky vendim, sipas kryeministrit, vjen pasi muajin e fundit është ulur kërkesa për energji dhe për këtë rol ka luajtur rënia e temperaturave, por edhe qasja pozitive e abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.

“Më 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kw, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Kwh, sot është rreth 11, 000 Kwh. Më 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 Kwh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta. Por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasjeje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.

Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të 10-ditëshit të parë të tetorit. Prandaj në këto kushte, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kw të mos hyjë në fuqi në muajin tetor”, -ka thënë ndër të tjera Rama.

Deklaratën e plotë e gjeni më poshtë.