Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj Elon Musk, pasi ky i fundit postoi një sondazh në Twitter me sugjerimet e tij për t'i dhënë fund pushtimit rus.

Musk u kërkoi 107.7 milionë ndjekësve të tij të votojnë për idetë që përfshinin dhënien e territorit Rusisë.

Si përgjigje, Zelensky postoi sondazhin e tij duke pyetur përdoruesit nëse u pëlqente më shumë Musk kur ai mbështeti Ukrainën apo kur mbështet Rusinë.

Ukrainas të tjerë kritikuan ashpër Elon Musk.

Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur tashmë katër rajone të Ukrainës si pjesë të Rusisë, pas të ashtuquajturave referendume të denoncuara si mashtruese nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet.

Musk sugjeroi gjithashtu se bota duhet ta njohë zyrtarisht Krimenë – e aneksuar nga Rusia në vitin 2014 – si pjesë e Rusisë.

Dhjetë orë pasi u postua, sondazhi kishte tërhequr më shumë se 2 milionë vota.

Tetë orë pasi u postua, sondazhi i Zelensky-t ishte votuar më shumë se 1.5 milion herë.

Në fillim të pushtimit rus, kompania satelitore e internetit e Musk dërgoi pajisje në vend. Kjo fitoi popullaritetin e Musk në Ukrainë dhe më pas ai u ftua nga Zelensky për ta vizituar kur lufta me Rusinë të mbarojë.