Një 25-vjeçar me origjinë shqiptare ka qëlluar me armë zjarri partneren brenda shtëpisë ku jetonin, në Pire të kryeqytetit grek.

Sipas mediave greke, 25-vjeçari, Qamil Taja, ka telefonuar policinë në orët e para të mëngjesit ku dhe ka rrëfyer krimin e rëndë. Pasi oficerët u paraqitën në banesën e tij, ai është shqoëruar në ambjentet e komisariatit, duke thënë se pas një sherri që kishin bërë, vrau partneren e tij 19-vjeçare, Krisjana Brakaj, gjithashtu me origjinë shqiptare.

Taja punonte në një lokal dhe sapo ishte kthyer nga puna, ndërkohë që dhe partnerja e tij punonte në një lokal nate në Kallithea.

Siç dhe deklaroi ai në polici gjithçka ka nisur pas një debati të zjarrtë, pasi i riu ka qenë xheloz për të, kjo dhe për shkak të punës së saj.

Dyshohet se sulmi i të riut ka ardhur dhe i nxitur nga ndikimi i drogës, konkretisht të kokainës, ku ai ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar dy herë në kokë partneren e tij. Sapo ka kuptuar se çfarë kishte bërë, ka lajmëruar policinë. 

Mediat greke kanë zbardhur dhe postimin e fundit që ka bërë në rrjetet sociale. Vetëm pak pasi e ka vrarë, ai ka publikuar një foto me një shprehje.

“Dobësitë... A ke ndonjë. Po, kisha! Dashurova,”- thuhet në postim.