Nata e dytë e koncertit të shumëpritur të Drake SiriusXM u ndërpre pasi një fans ra nga ballkoni.

Incidenti ndodhi rreth një orë e gjysmë pasi këngëtari i "One Dance" doli në skenë në Teatrin legjendar Apollo në Harlem, New York.

Reperi 21 Savage iu bashkua Drake në skenë për të performuar disa këngë nga albumi i tyre i vitit 2022 "Her Loss", por para se të fillonin performancën e tyre, një burrë ra nga ballkoni i katit të dytë në pjesën ku ndodhej orkestra.

Një anëtar i ekipit doli në skenë dhe u tha reperëve të ndërprisnin koncertin.

"Duhet vetëm të sigurohemi që dikush është mirë," i tha Drake të pranishmëve.

Të dy, Drake dhe 21 Savage, u larguan nga skena ndërsa dritat ishin ndezur në skenë - rënia e fansit fiku një pjesë të dritave. Më pas stafi i dha ndihmën e nevojshme fansit pas incidentit.

Koncerti u ndërpre për rreth 15 minuta dhe një person njoftoi të pranishmit më pas se nuk kishte asnjë të lënduar.

"Të gjithë janë absolutisht mirë. Ata janë duke u kontrolluar. Askush nuk është i lënduar. Por kam lajme edhe më të mira për ju: Ne jemi në Apollo, kështu që shfaqja duhet të vazhdojë.”-tha dikush para se reperët të ngjiteshin në skenë për të vazhduar koncertin.

Stafi i Teatrit Apollo shkroi në Twitter për aksidentin, duke treguar se ishte ngritur një hetim.