Sa herë përmendet uji Glina në mendjen e secilit prej nesh shfaqet tryeza e Vitit të Ri, me shishen jeshile të Glinës në qendër të saj apo tapat metalike në formën e të cilave vizatonim orën në duar, apo luga e vendosur mbrapsht mbi shishe për të ruajtur gazin edhe pak më gjatë.

Kujtime të një kohe të largët me të cilat sot na lidh një emër, ai i Glinës, ujit të parë të botiluar në Shqipëri, i pasur me minerale dhe me veti të rralla kurative të aprovuara nga një sërë kongresesh mjekësore.

Përtej faktit se Glina është një nga ujërat e pakta në botë për të cilin ekzistojnë studime shkencore mbi 80-vjeçare, që vërtetojnë ruajtjen e pandryshueshme e përbërjes minerale të saj apo faktit se në Glinë ka funksionuar për mbi 40 vite një kurort i mirefilltë ku janë trajtuar me ujin e  Glinës mbi 15 000 të sëmurë, ajo që e ben Glinën unike në 50 vjetorin e saj është mbijetesa në kohëra me ndryshime rrënjësore historike, politike dhe sociale dhe rikrijimi i saj në mënyrë të vazhdueshme.

Duke mos e humbur kurrë relevancen dhe duke rigjetur në çdo kohë shkëlqimin, Glina ka trokitur në zemrat e gjithësecilit e thjeshtë dhe gjithmonë autentike. Një pasuri kombëtare që në 50 vjetorin e saj vjen me risi të bukura si  risjellja e pijes freskuese ikonike shqiptare-“Aranxhata nga Glina”, uji me vitamina “Glina Vitamina” apo uji tonik “Glina Tonic”, të cilat mund të shijohen të ftohta ose me pak kreativitet me ‘to mund të krijohet një pafundësi miksologjish e recetash.

Ditëlindjen e saj të 50- të Glina e festoi në Pallatin e Kongreseve në një mbrëmje gala sa të thjeshtë aq edhe madhështore, si dhe vetë ajo. Përkrah saj qëndruan emrat më të mirë të artit dhe skenës si Ardit Gjebrea, Aldon Lipe, Kozeta Kurti, Gerd Vaso e Joni Peçi që sollën përmes një programi artistik me muzikë të përzgjedhur shqiptare të këtyre 50 viteve shumë nostalgji dhe emocion.

Glina, në piedestalin që i takon të jetë, ishte kryefjala e mbrëmjes dhe udhëtimi në kohë i saj erdhi përmes interpretimeve origjinale të artistëve si Petrit Lulo, Liljana Kondakçi, Bashkim Alibali, Rona Nishliu, Anxhela Peristeri, West Side Family, Martin Pano, e talentuara Armina e vogël dhe me pjesëmarrjen eksluzive të artistes që kaq shumë na kish munguar, Mira Konçi.

Janë të shumta bekimet që Zoti apo natyra i ka falur Shqipërisë tonë të vogël, por janë të pakta ato që si Glina kanë sfiduar kohën dhe vijnë të ripërtërira edhe pas gjysmë shekulli duke na bërë krenarë. I urojmë Glinës edhe shumë përvjetorë të tjerë.

Për shumë vjet gëzuar!