Dita botërore e gëzimit, është një ftesë për të ndërgjegjësuar njerëzit për rendësinë që ka të manifestuarit të kësaj ndjenje dhe të jetuarit me pozitivitet përditshmërinë tonë, si ta manifestojmë atë dhe sesi mund të bëhemi arsye për t’a ndarë atë me të tjerët rreth nesh.
Një iniciativë që është prezantuar nga kolumbiani Alfonso Becerra në vitin 2010, gjatë një kongresi për menaxhimin kulturor, për të celebruar rëndësinë e një jete të lumtur dhe të gëzueshme…
Një buzëqeshje e sinqertë drejtuar dikujt që kemi pranë, dhënia e një përqafimi, janë disa nga detajet e gjesteve të vogla që jeta na ofron për të mbushur me dashuri e gëzim , zemrat e shpirtin tonë dhe atë të të tjerëve. Që të ndjesh gëzim, ne duhet të kemi një qasje pozitive ndaj jetës dhe të shijojmë “gjërat e vogla që jeta na ofron”.
7 Rituale që ju ndihmojnë të gjeni “Lumturinë”.
1.Të krijosh situata për “kohë të lirë”.
Të improvizosh takime me miqtë, mbledhje me familjarët, të dashurit e tu, piknik, festa etj , është një burim i padisukuteshëm lumturie. Psikologu Dan Gilbert, ka nënvizuar se ne jemi më të gëzuar dhe të lumtur si rezultat i aktiviteteve që bëjmë në kohën e lirë, por dhe procesi që merr planifikimi dhe organizimi i tyre, është një burim i sigurt për të përftuar më shumë emocione pozitive.
Është vërtetuar gjithashtu që njerëzit ndihen më të lumtur kur shpenzojnë para në procesin e kryerjes së një veprimtarie sesa kur shpenzojnë për objekte dhe sende.
2. Të bësh një gjumë të mirë!
Shëndeti është gëzim! Gjumi është shumë i dobishëm për mirëqenien tonë psiko-emocionale dhe mungesa e tij apo një gjumë jo i mirë, shkakton, mërzi dhe irritim në më të shumtën e rasteve.
3. Të praktikosh sport.
Që të jemi të lumtur dhe në formë, trupi ynë ka nevojë të stërvitet. Aktiviteti fizik, ka një ndikim në trupin e njeriut duke na ndihmuar të zbusim stresin dhe duke forcuar vetvlerësimin. Kur trupi është në aktivitet, është vërtetuar që njeriu provon ndjesi të larta kënaqësie. Mjafton që ju të vendosni për të praktikuar një sport që ju përshtatet!
4.Të gëzosh 5 marrëdhënie njerëzore të rëndësishme.
Sipas studimeve ,është vërtetuar se njerëzit që kanë ndërtuar marrëdhënie tepër të rëndësishme me të tjerët në jetën e tyre, janë më të lumtur si rezultat i marrëdhënieve të shëndosha që kanë me ta, besimi që ndajnë me ta, të qenit vetvetja etj. Të kesh miq të vërtetë dhe të ndash momente jete të gëzueshme me ta, është një nga përvojat dhe pasuritë më të çmuara që jeta mund ti dhurojë dikujt!
5. Të duash natyrën.
Jepini prioritet aktiviteteve në natyrë. Kontakti me natyrën, ajri i pastër dhe panoramat e gjelbërta, na forcojnë muskujt dhe sistemin tonë imunitar. Bukuritë natyrore, zhurmat që na ofron natyra si cicërimat e zogjve, gurgullima e një ujvare etj , stimulojnë trurin dhe kreativitetin. Jeta me ritmin e saj dinamike , duhet të na ndërgjegjësojë, që hera herës, të ndalemi te natyra dhe te vendet me burime të pashtershme paqeje që na sigurojnë gjetjen e vetvetes.
6. Të qeshësh sa më shumë.
E qeshura, na bën shumë mirë për trupin dhe mendjen. Sikurse e qeshura, është një gjendje relaksi për shpirtin, ajo shërben si një shërim dhe për largimin e stresit dhe trishtimit.
7. Ji i rrethuar nga njerëz të lumtur!
Lumturia është “ngjitëse” dhe magjepsëse. Njerëzit që rrezatojnë gëzim, shërbejnë si burim frymëzmi dhe motivimi për të tjerët rreth tyre. Ata kanë aftësinë t’i orientojnë të tjerët drejt gjetjes së lumturisë së tyre të brëndshme!