Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të lerë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Ervin Salianjin dhe dënimin e tij me 1 vit burg për çështjen “Babalja”.

Kujtojmë se deputeti demokrat u dënua nga Shkalla e Parë për kallëzim të rremë në lidhje me përgjimet në Maj të vitit 2018.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin.

Në sallën e gjyqit, Salianji shoqërohej nga kolegët e tij deputetë të Partisë Demokratike.

Pas vendimit do duhet që Ervin Salianji të shkojë në qeli pasi vendimi i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm.

Prokurori ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit të vendimit. Më pas kjo do t’i dërgohet komisariatit përkatës për ta marrë e për ta dërguar Salianjin në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.

Nga aty, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vendosë se ku do të vuajë dënimin Salianji.

Ervin Salianji është deputet dhe ka imunitet, por çfarë parashikon ligji?

Neni 71, pika 2, shkronja dh, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Megjithatë pavarësisht kësaj, për t’i hequr imunitetin Salianjit duhet konfirmim nga Këshilli i Mandateve.

Për këtë duhet që të dërgohet në Kuvend vendimi dhe urdhri i ekzekutimit të dënimit.