Mesfushori spanjoll i Manchester Cityt, Rodri, është kurorëzuar fitues i “Topit të Artë” për vitin 2024. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me sukseset e arritura në Kampionatin Evropian me Spanjën, Premier Ligën, Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën e Evropës me Manchester City-n, Rodri arrin të fitojë çmimin më prestigjioz në futbollin botëror.
Megjithatë, ky triumf është shoqëruar me polemika, pasi Reali i Madridit ka bojkotuar ceremoninë në shenjë solidariteti me yllin brazilian Vinicius Junior, i cili për një kohë të gjatë u përfol si një nga kandidatët kryesorë. Kjo lëvizje e skuadrës madrilene për të mos marrë pjesë në eventin e ndarjes së çmimeve, tregon një mbështetje të fortë për Viniciusin, duke sjellë edhe më shumë debat rreth procesit të përzgjedhjes së fituesve të këtij trofeu.
Ky është Topi i parë i Artë për Rodrin pas dy nominimesh, i cili u ngjit me paterica në skenë për të marrë trofeun prestigjioz, kjo pas një dëmtimi të rëndë që do e lërë atë jashtë për pjesën tjetër të sezonit.
Gjithashtu këtë mbrëmje u ndanë dhe çmime të tjera. Aitana Bonmati fitoi për të dytin vit radhazi Topin e Artë për Femra, me futbollisten e Barcelonës që shkëlqeu sezonin e kaluar.
Carlo Ancelotti u shpall “Trajneri më i Mirë”, ndërsa trofeu “Kopa” shkoi për Lamine Yamal, si lojtari më i mirë nën 21 vjeç. Sa i përket trofeut “Yachin” për portierin e vitit, fitues u shpall Emiliano Martinez. Real Madrid fitoi çmimin “Klubi më i Mirë për Meshkuj”, ndërsa Barcelona fitoi “Klubi më i Mirë për Femra”.