Mungesa e komunikimit.

Kur në marrëdhëniet e dashurisë nuk ka komunikim dhe kur të dyja palët nuk ndjejnë nevojën e bashkëbisedimit për ndodhitë e ditës, për ndjesitë, për emocionet e çdo ngjarje tjetër që mund të shoqërojë jetët tona, pikërisht në këtë moment krijohet një hendek shumë i madh në marrëdhënie. Heshtja dhe mungesa e komunikimit është një “vrasës i heshtur” i marrëdhënieve të dashurisë. Çiftet që jetojnë në një atmosferë të tillë, humbasin emocionet dhe ndjeshmërinë reciproke. Të mos kesh motiv, dëshirë apo kapacitetin për të shkëmbyer biseda me partnerin, është një tregues thelbësor për nxitjen e keqkuptimeve dhe frustrimeve në marrëdhëniet e dashurisë.

T’a konsiderosh tjetrin si të mirëqenë në jetën tënde.

Rëndomë  në marrëdhëniet romantike, partnerët gabojnë duke mos i konsideruar gjërat e vogla të përditshmërisë që partneri bën për të. Gatimi i një ushqimi të preferuar, të kujdeset për gjërat e përbashkëta me korrektësi, të jetë i vëmendshëm ndaj nevojave tona etj. Indiferentizmi apo të konsideruarit si gjëra pa rëndësi ato që partneri bën kundrejt nesh, e shndërron marrëdhënien të ndihet si një gjë e bërë rutinë sesa si sjellje që tregojnë respekt dhe sjellin gëzim e kënaqësi. Kur ne shprehim vlerësim dhe konsideratë për veprimet shpërblyese, lidhja mes dy njerëzve të dashuruar bëhet më e ngrohtë dhe më e gjallë. Të themi “ Më fal”. “ Të lutëm”, “ Faleminderit shumë”, janë themeli i marrëdhënieve romantike.

Xhelozia.

Ndjenja e posesivitetit, kontrollit dhe mungesa e besimit janë tregues të qartë të një marrëdhënie që do të humbasë shumë shpejt dozat romantike që karakterizojnë marrëdhëniet e dashurisë. Nëse partneri, jeton me frikën e mosbesimit dhe xhelozisë ndaj partnerit tjetër, e gjithë energjia e tij do të lokalizohet në këtë prirje të kontrollit të palogjikshëm dhe të një mungese të theksuar besimi që në fakt është themeli i marrëdhënieve të sukseshme dhe të qëndrueshme.

Mungesa e interesave të përbashkëta.

Të mos kesh dëshirën për të organizuar aktivitete së bashku të cilat më parë kanë qenë prezent në marrëdhënien tuaj, mund të sjellin distancë dhe ftohtësi në marrëdhënie. Mund të duken si gjeste e rituale pa rëndësi që nuk dëmtojnë marrëdhënien por është krejt e kundërta! Gjestet e vogla të përditshmërisë, përkushtimi i kohës fizike mes njëri-tjetrit, nën atmosferën e aktiviteteve që ju sjellin gëzim, janë copëza e doza dashurie që ushqejnë çdo ditë e më shumë marrëdhënien me emocione të bukura. Të improvizosh shikimin e një filmi në mbrëmje shoqëruar me një gotë verë , momenti më i mirë i ditës për pak më shumë intimitet së bashku!

Konfliktet e pazgjidhura.

Bisedat e keqkuptimet e lëna përgjysëm e të pazgjidhura, krijojnë një hendek shumë të madhe në raport me njëri-tjetrin. Konfliktet e pazgjidhura, sjellin akumulimin e mërisë, krijimin e boshllëqeve të panevojshme në çift duke i ngarkuar me emocione negative për partnerët reciprok.