Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli ka ndarë detaje emocionuese mbi lidhjen e tij 7-vjeçare me këngëtaren shqiptare Ana Oxa, të cilën e përshkruan si dashurinë më të madhe dhe më të veçantë të jetës së tij.
Në një intervistë me Arbana Osmanin, Pacolli e cilësoi marrëdhënien me Anën si të jashtëzakonshme dhe dinamike, por edhe të vështirë për shkak të presionit të madh nga rrethi familjar dhe mungesës së fëmijëve. “Ishte një presion i madh, sidomos nga njerëzit e mi. Kjo krijoi frustrim, që ndoshta çoi edhe në fundin e marrëdhënies sonë,” rrëfeu ai.
Pacolli kujtoi se ata madje shkuan deri në Amerikën e Jugut për të kërkuar zgjidhje për të pasur fëmijë, por situata u rëndua kur Ana filloi të interesohej për libra meditimi dhe praktika indiane, gjë që solli keqkuptime mes çiftit. “Ajo fillon të lexojë libra që për mua ishin fantashkencë, të sekteve indiane. Lexon tepër dhe shoh që librat po grumbullohen. Një ditë më thotë nuk jam në shtëpi se ishte në një takim, në fakt ishte në një meditim. Kam shkuar pa paragjykim dhe i kam parë lëvizjet indiane dhe meditimet. Aty kam qenë ndoshta i papërgatitur dhe kjo gjë me pengoi. Ka ardhur në shtëpi dhe e kemi ngritur zërin…” tregoi ai.
Përveç presionit të jashtëm, Pacolli tha se ndërhyrjet e motrave të Anës e vështirësuan më shumë marrëdhënien. "Edhe ato filluan shumë të ndërhynin në jetën tonë. Ajo ndërhyrja ka qenë si rezultat i asaj që ata bisedonin në mungesën time. Pastaj u thashë a po shikoni punët tuaja. Nëse mundeni, nëse jo, shkoni, dera është e hapur. Pastaj ajo Ana aty nuk ka mundur, mbeti mes familjes dhe meje”. Në fund, ai dhe Ana vendosën të ndaheshin, por ruajtën respektin e ndërsjellë. “U ndamë pa pretendime dhe me shumë lot. Ajo ka qenë gjithmonë një grua e madhe dhe humane,” tha ai, duke e vlerësuar Anën për qëndrimin e saj pas divorcit.
Pacolli përmbylli rrëfimin duke pranuar se pavarësisht vështirësive, lidhja me Ana Oxën mbetet një nga periudhat më të bukura të jetës së tij: “Po, ishte dashuria më e madhe dhe më e këndshme. Këto 7 vite ishin një miks emocionesh që nuk i harroj kurrë.”