Këngëtari i njohur Zayn Malik, i cili kishte planifikuar të performonte më 3 dhjetor në O2 City Hall në Newcastle, Angli, u detyrua të anulojë koncertin në minutën e fundit, ndërkohë që fansat ishin tashmë në sallë.

31-vjeçari, në një postim në Instagram Story, shpjegoi se vendimi u mor për shkak të problemeve me zërin.

"Jam shumë i keqardhur që po e bëj këtë, por zëri im thjesht nuk është aty fare sonte dhe pa të nuk ka shfaqje," shkroi Zayn më 3 dhjetor. "Më vjen sinqerisht keq që ju zhgënjeva, veçanërisht në një kohë kaq të shkurtër. Shpresova deri në momentin e fundit. Shpresoj që pas pak pushimi sonte, të rikthehem në skenë nesër. Më falni shumë Newcastle, ju dua të gjithëve."

Ish-anëtari i One Direction pritet të rikthehet në skenë më 4 dhjetor në Manchester, Angli, në O2 Apollo.

Turi i parë solo i Zayn-it ka hasur disa sfida. Fillimisht, koncertet në SHBA të planifikuara për t’u nisur më 23 tetor në San Francisco u shtynë për muajin janar, pas vdekjes tragjike të ish-anëtarit të One Direction, Liam Payne, më 16 tetor.

"Lidhur me këtë humbje zemërthyese që kemi përjetuar këtë javë, kam vendosur të shtyj datat e turneut në SHBA për janar," kishte shkruar Zayn në atë kohë, duke theksuar se biletat do të mbeten të vlefshme për datat e reja.

Turneu ka pasur edhe momente emocionale, pasi Zayn ka bërë homazhe për Liam-in në fund të çdo koncerti, duke shfaqur një pankartë me mbishkrimin: “Liam Payne, 1993-2024, Të dua vëlla.”

Më 29 nëntor, gjatë një koncerti në Wolverhampton, qyteti i lindjes së Liam-it, Zayn i dedikoi këngën “It’s You” mikut të tij, duke reflektuar për humbjen e tij.

"Kam bërë diçka në fund të çdo koncerti, dhe ia kam dedikuar vëllait tim Liam Payne," tha Zayn. "Pusho në paqe. Shpresoj që ta shohësh këtë sonte në qytetin tënd, Wolverhampton. Kjo është për ty, Liam."