Aktori Amos Zaharia ishte i ftuar këtë të shtunë në emisionin “S’e luan Topi”, ku ndau detaje prekëse dhe të sinqerta nga fëmijëria e tij. Ai e përshkroi këtë periudhë të jetës si të bukur, por “pa rrënjë”, për shkak të zhvendosjeve të shpeshta dhe sfidave që familja e tij përjetoi pas divorcit të prindërve.

Amos tregoi se pas divorcit, nëna e tij, bashkë me të dhe motrën Elia, emigroi fillimisht në Greqi dhe më pas në Itali, për t’u rikthyer më vonë në Shqipëri. Aktori kujtoi me nostalgji përkushtimin e nënës së tij, duke thënë: “Nëse do ta personifikoja fëmijërinë time, do të ishte imazhi i nënës sime që më mbante për dore. Për mua, ajo është njeriu më i rëndësishëm në botë.”

Një tjetër moment emocionues i intervistës ishte rikujtimi i ribashkimit të tij me babain, pas disa viteve ndarje. Amos rrëfeu se kjo ndodhi në një mënyrë të papritur kur ishte në klasë të parë, duke shtuar se ndjeu një lloj tronditjeje fillestare, por më pas e përqafoi lidhjen e re që krijoi me të atin.

Duke folur për marrëdhënien me motrën, Amos tha se në fëmijëri ishin si “Tomi dhe Xherrin”, por tani janë kthyer në miq të ngushtë.

Gjithashtu, aktori ndau detaje nga raporti i tij me babain, regjisorin Gjergj Zaharia, duke e përshkruar atë si një prind të rreptë, por njëkohësisht të dashur dhe shumë të përkushtuar ndaj familjes.