Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram shqetësimin për situatën alarmante që po përjeton Los Angeles për shkak të zjarreve masive. Përmes një postimi në InstaStory, ajo përshkroi gjendjen e ajrit në qytet si të papërballueshme.
“Ajri i LA sot: Shumë i rënduar dhe mban erë sikur jetojmë brenda një oxhaku,” shkroi Bebe, duke ndarë një fotografi ku shfaqej me maskë mbrojtëse, një domosdoshmëri për shkak të ndotjes ekstreme.
Në një tjetër postim, këngëtarja 35-vjeçare zbuloi vështirësitë që ka hasur gjatë natës:
“Mbrëmë më duhej të flija në ndonjë divan. Shpresoj që të gjithë të jenë mirë. Unë jam mirë. Faleminderit që u interesuat për mua.”
Zjarret në Kaliforni, të cilat kanë përfshirë zona të shumta të Los Angeles, kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit, duke e bërë jetën të vështirë për banorët. Artistja, e cila banon në qytet, nuk nguroi të tregojë solidaritetin e saj me të gjithë ata që janë prekur nga kjo situatë.
Postimet e Bebe Rexhës kanë ngjallur një valë reagimesh pozitive nga fansat, të cilët e kanë mbështetur me mesazhe inkurajuese dhe ngushëllimi. Mesazhet e saj theksojnë jo vetëm sfidat personale, por edhe nevojën për kujdes dhe solidaritet në këtë periudhë të vështirë.