E ka mbajtur për vete për disa javë, por Jessie J ka ndarë me ndjekësit lajmin e rëndë: është diagnostikuar me kancer në gji. Këngëtarja britanike, emri i vërtetë i së cilës është Jessica Cornish, e bëri publike përmes një postimi në Instagram, ku rrëfeu se iu deshën nëntë javë për të gjetur kurajën që të fliste.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Jessie J (@jessiej)

“Thjesht doja të isha e hapur dhe ta ndaja”, shkroi ajo, “sepse, nuk flas mjaftueshëm për këtë. Nuk e përpunoj dot siç duhet sepse jam duke punuar shumë. Por e di gjithashtu se ndarja më ka ndihmuar edhe më parë, kur të tjerë më kanë treguar dashurinë dhe mbështetjen e tyre, dhe historitë e tyre. Jam një libër i hapur. Më thyen zemrën të di që ka kaq shumë njerëz që po kalojnë të njëjtën gjë, apo edhe më keq – kjo është pjesa që më vret më shumë.”

Artisja 37-vjeçare, nënë e një djali dyvjeçar, shpjegoi se diagnoza i ka dhënë një "perspektivë të jashtëzakonshme mbi jetën", por nuk e mohon aspak vështirësinë e momentit:

“Sinqerisht, kam nevojë ta përpunoj këtë dhe të flas. Kam nevojë për një përqafim”, i tha fansave. “Ju më keni dashur në të gjitha fazat e mia, në momentet më të bukura dhe më të vështira. Nuk dua që kjo të jetë ndryshe.”

Jessie J ka treguar gjithashtu se kanceri është në fazë të hershme, dhe është zbuluar para se të publikonte singlin “No Secrets”, pjesë e albumit të saj të ardhshëm. “Dua të theksoj fjalën ‘hershme’. Kanceri është gjithmonë i tmerrshëm, por unë mbështetem fort te kjo fjalë. Në këtë periudhë po bëj analizë pas analize”, shkroi ajo.

Duke ruajtur humorin që e karakterizon, këngëtarja shtoi:
“Pas festivalit Summertime Ball më 15 qershor në Londër, do të zhdukem për pak. Por do të kthehem me gjoks të ri dhe muzikë të re!”

Dhe fansat, si gjithmonë, e presin me zemër të hapur.