Për kërcënimet e bëra në vitin 2008 ndaj shkrimtarit Roberto Saviano dhe gazetares Rosaria Capacchione, Gjykata e Apelit në Romë ka konfirmuar dënimet ndaj Francesco Bidognetti, kreu i klanit mafioz Casalesi, dhe avokatit Michele Santonastaso. Vendimi, i marrë nga Seksioni i Parë i Gjykatës, riafirmon aktgjykimin e Gjykatës së Romës të datës 24 maj 2021, i cili kishte njohur kërcënime të rënda me metodë mafioze.

Bidognetti është dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, ndërsa Santonastaso me një vit e dy muaj. Rasti lidhet me procesin e famshëm “Spartacus”, që në vitet 2000 çoi në shkatërrimin e hierarkisë së klanit Casalesi, dhe në veçanti me një episod të ndodhur në vitin 2008 gjatë një seance të shkallës së dytë në Gjykatën e Napolit.

Në atë seancë, avokati Santonastaso, gjatë leximit të një deklarate të përbashkët në emër të të pandehurve të atëhershëm Bidognetti dhe Antonio Iovine, përmendi në mënyrë eksplicite emrat e Savianos dhe Capacchiones, duke i cilësuar si gazetarë “të pozicionuar” dhe duke i listuar ndër “armiqtë” e klanit Casalesi. Kjo deklaratë u interpretua menjëherë si një kërcënim mafioz publik.

Në arsyetimin e dënimit të shkallës së parë, që tashmë është konfirmuar nga Apeli, gjyqtarët e Seksionit të Katërt Penal të Gjykatës së Romës kishin shkruar qartë:

“Sjellja e të pandehurve lidhet drejtpërdrejt me kriminalitetin e organizuar të klanit Casalesi, të drejtuar nga Bidognetti. Kërcënimi i bërë hapur ndaj dy gazetarëve ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme të ideuar nga vetë kreu mafioz, me synimin për të forcuar kontrollin mbi territorin dhe për të ruajtur fuqinë e klanit”.
Arsyetimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Apelit pritet të publikohet brenda 90 ditëve.

Në proces janë paraqitur si palë civile Federata Kombëtare e Shtypit Italian (FNSI), e përfaqësuar nga avokati Giulio Vasaturo, si dhe Urdhri i Gazetarëve të Kampanias.

Në sallën e gjyqit, pas leximit të vendimit, u dëgjua një duartrokitje e gjatë në shenjë mbështetjeje për konfirmimin e dënimeve. I prekur thellë, Roberto Saviano përqafoi në lot avokatin e tij, Antonio Nobile, duke thënë:

“Më kanë vjedhur jetën”.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Roberto Saviano (@robertosaviano_official)


Gazetarja Rosaria Capacchione, e cila ashtu si Saviano ndodhet nën mbrojtje shtetërore prej vitesh, nuk dha një deklaratë zyrtare, por më herët e kishte quajtur këtë ngjarje “një faqe të errët, që tregoi sesi organizatat mafioze përdorin sallat e gjyqit si skena për intimidim publik”.