Dolce & Gabbana ka zbarkuar këtë verë në Clap House, destinacioni më i ri i jetesës luksoze në Ibiza, me një koncept ekskluziv që premton të bëhet atraksioni kryesor i sezonit. Me një “summer takeover” të veçantë, shtëpia e modës italiane sjell motivin e saj ikonik të leopardit, duke i dhënë ishullit një atmosferë të re, ku moda dhe eleganca takohen me jetën e gjallë mesdhetare.


Në Clap House, shezlongët, çadrat dhe gazebo-t e personalizuara shfaqin versionin më të sofistikuar të printit të njohur leopard të Dolce & Gabbana. Të vendosura rreth pishinës më të madhe të ishullit, këto elemente krijojnë një hapësirë të paharrueshme për pushuesit që kërkojnë jo vetëm relaks, por edhe një përvojë të mbushur me estetikë dhe luks.

Koncepti plotësohet me një butik pop-up në tonet elegante të bardhë dhe bezhë. Ky butik ofron pjesët më të njohura të shtëpisë Dolce & Gabbana, nga veshjet verore deri te aksesorët unikë, duke u kthyer në një stacion të domosdoshëm për të apasionuarit pas modës që vizitojnë Ibizën.


Përveç dizajnit dhe modës, Clap House ofron edhe një eksperiencë gastronomike me kuzhinë japonezo-mesdhetare, duke sjellë një miks perfekt të shijeve dhe një atmosferë të “barefoot elegance”  një luks i thjeshtë dhe i rafinuar, që i përshtatet vibrimeve të lirshme të verës në Ibiza.