Një video e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale ka vendosur në qendër të vëmendjes CEO-n e kompanisë amerikane 'Astronomer', Andy Byron, pasi ai u kap duke u puthur me një kolege në “Kiss Cam” gjatë koncertit të Coldplay në stadiumin Gillette, në Massachusetts.
Personi që shihet në video krah tij është Kristin Cabot, shefe e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani. Pas shpërthimit të videos në TikTok dhe platforma të tjera, kompania ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke bërë të ditur se është hapur një hetim formal dhe se të dy drejtuesit janë vendosur me pushim të përkohshëm nga puna.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj një kulture integriteti dhe përgjegjësie. Kjo është arsyeja pse bordi ka ndërmarrë hapa për të shqyrtuar situatën në mënyrë të paanshme dhe të kujdesshme,” thuhej në reagimin e kompanisë Astronomer.
Ndërkohë, Pete DeJoy, bashkëthemelues i kompanisë, ka marrë përkohësisht drejtimin si CEO, teksa Byron po negocion një dalje të mundshme nga kompania.
Pas përhapjes së videos, në internet kanë qarkulluar deklarata të ndryshme në emër të Andy Byron, përfshirë një “letër ndjese” që më vonë rezultoi se ishte e rreme dhe pjesë e një llogarie parodike. Edhe faqja e LinkedIn-it e Byron është fshirë, ndërsa e shoqja e tij, Megan Kerrigan, ka ndryshuar profilin në rrjetet sociale, duke hequr mbiemrin “Byron”.
Sipas mediave ndërkombëtare, kjo ngjarje po trajtohet nga bordi drejtues me seriozitet maksimal për shkak të pozicioneve të larta që mbajnë dy personat e përfshirë dhe ndikimit që sjell një sjellje e tillë në kulturën organizative të një kompanie teknologjike që synon të jetë model etik në treg.