Këngëtarja me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka rrëfyer për herë të parë sekretin që qëndron pas martesës së saj të suksesshme trevjeçare me regjisorin e njohur Taika Waititi, në një intervistë për revistën Hunger.

Ora, 34 vjeç, dhe Waititi, 49 vjeç, u martuan në gusht 2022, pas një miqësie të gjatë prej rreth pesë vjetësh. Ajo thekson se bashkëshorti i saj është miku më i mirë, një themel i fortë që vendosur bazën e një dashurie të qëndrueshme.

“Unë dhe Taika jemi miqtë më të mirë të njëri-tjetrit dhe donim të jetonim me këtë përgjithmonë,” deklaroi këngëtarja.

Sipas Ritës, martesa përbënte një hap të rëndësishëm në jetën e saj personale dhe artistike. Ajo e përshkruan këtë moment si “të domosdoshëm” për të qenë “një libër i hapur” në albumin e saj “You & I”.

“Doja t’u tregoja njerëzve se ku jam në jetën time tani, si një ditar,” shpjegoi ylli i muzikës (Balkanweb).

Në një intervistë tjetër në qershor, Rita zbuloi se ishte ajo që bëri propozimin për martesë, duke thyer kështu traditën: ajo i dhuroi unazën vetë dhe u ul në gjunjë nën atmosferën romantike të Palm Springs.

“Bëra gjithçka vetë. I bleva unazat dhe u ula në gjunjë,” rrëfeu këngëtarja.