Pas kthimit të Princeshës Leonor në Spanjë nga gjashtë muajt e kaluar në det me shkollën Juan Sebastián Elcano, vëmendja e publikut është zhvendosur tek motra e saj më e vogël, Infanta Sofia, e cila sapo ka mbushur 18 vjeç dhe është gati të nisë një rrugëtim krejt tjetër nga ai i motrës së madhe.
Ndryshe nga Leonor – trashëgimtarja e fronit, e cila ndjek me përpikëri trajnimet ushtarake si pjesë e formimit të saj mbretëror – Sofia ka zgjedhur një rrugë më të lirë, më personale dhe ndërkombëtare. Sipas njoftimit zyrtar nga Casa Real, pas pushimeve verore, ajo do të fillojë studimet në universitetin privat Forward College, me synimin për të marrë diplomën në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Zgjedhja e Sofia-s është një sinjal i qartë se ajo nuk do të ndjekë formimin ushtarak si motra, gjë që ishte konfirmuar edhe më herët këtë vit pas disa spekulimeve në media. Në vend të uniformës dhe disiplinës ushtarake, Infanta ka zgjedhur një universitet të ri dhe modern i themeluar në vitin 2021, që bashkëpunon me prestigjiozen London School of Economics.
Çfarë e bën këtë universitet ndryshe? Programi i tij përfshin studime në tre vende të ndryshme evropiane: viti i parë në Lisbonë, i dyti në Paris dhe i fundit në Berlin. Qëllimi është të ofrojë një përvojë multikulturore dhe ndërdisiplinore, përgatitje ideale për një të re që do të jetojë mes protokollit mbretëror dhe sfidave të botës moderne.
Pavarësisht se nuk është trashëgimtare e fronit, Sofia mbetet një figurë e rëndësishme për monarkinë spanjolle. Zgjedhja e saj për të studiuar marrëdhënie ndërkombëtare nuk është thjesht një pasion personal, por mund të shihet edhe si një strategji për të ndërtuar një profil diplomatik që mund të jetë i dobishëm për mbretërinë në të ardhmen.
Nga ana tjetër, duke qëndruar brenda Evropës, ajo mban një lidhje të afërt me Spanjën, e gatshme të kthehet sa herë kërkohet për detyra zyrtare apo momente të rëndësishme për familjen mbretërore.
Sofia dhe Leonor shkuan në të njëjtin kolegj në Spanjë dhe më pas të njëjtin lice ndërkombëtar në Uells, por tani rrugët e tyre ndahen. Leonor ndjek hapat e babait, Mbreti Felipe VI, në formimin e saj si mbretëreshë e ardhshme, ndërsa Sofia po krijon një identitet të vetin më civil, më akademik dhe më ndërkombëtar.
Këto zgjedhje theksojnë ndryshimin e roleve dhe prirjeve midis tyre, duke reflektuar një qasje moderne të një monarkie që gjithnjë e më shumë i përshtatet realitetit dhe sfidave të shekullit XXI.