1. Popullsia
Koha që po jetomë shënon padyshim ndryshimin më të madh në historinë e njerëzimit. Duke filluar që nga evolucioni i popullsisë. Trajektorja e popullsisë sipas Worldometer Population është një trajektore krejt e drejtë deri në vitin 1800. Për herë të parë u shënua Shifra 1 miliard njerëz në vitin 1804. Në vitin 1930 ishin 2 miliardë njerëz. Sot janë 8.2 miliardë.

Qartësisht shekulli i 20-të ëshë shekulli ku Bota shënoi bumin më të madh demografik. Nëse u deshën 1930 vjet të bëheshim 2 miliardë njerëz, mjaftuan vetëm 92 të tjera për tu katërfishuar (8 miliardë në 2022). Ky shpërthim lindshmërie dhe rritje jetëgjatësie shënoi edhe kulme të tjera që, sipas meje, e kanë burimin këtu. Teknologjia dhe shkenca bëri kapërcime epokale në kohë fare të shkurtra. Megjithëse gjatë shekullit të lindshmërisë patëm edhe dy luftëra botërore- një fenomen i pangjashëm në histori- popullsia rritej me një ritëm të frikshëm. Në viitn 1970 u shënua rritja më e madhe e popullsisë në histori, popullsia u shtua me 2,07%. Sa për një krahasim, sot rritet mesatarisht me 0,85% dhe është çdo vit në ulje.
2. Revolucioni social
Kultura dhe arti, letërsia, muzika, teatri deri në shekullin e 20-të ishte privilegj i aristokracisë. Shpërthimi demografik i popullsisë e rrëzoi murin ndarës mes klasave. Përpjekjet për demokratizim pas luftës së dytë botërore nxorën artistë të rinj, avangardistë që po shkatërronin klasicizmin dhe mitet e së kaluarës. Bota po ndryshonte me ritëm të frikshëm.
Deri sa erdhëm te revolucioni teknologjik dhe ai social i sotëm. Shoqëritë liberale promovuan të drejtat e njeriut, barazinë, të drejtën për arsimimin etj etj....Fama nuk ishte më çështje aftësish të jashtëzakonshme. Ajo mund të vijë brenda ditës dhe pa mundim. Mjafton një video ekstravagante, një sherr banal apo një ekspozim i tepruar hiresh. U shpik termi "performancë" dhe artist performues.. Një term që ngërthen në vetvete marketimin e produktit artistik, amabalazhimin luksoz të tij. Ti mundet të kesh talent por nëse nuk del në arenën publike të rrjeteve sociale të dëshmosh talentin tënd si “performues” je i destinuar të humbasësh. Ai është faktori X, shqisa e gjashtë.

Shoqëria e sotme ka Perëndi argëtimin në mënyrën më të lehtë të mundshme. Nuk ka më lexues apo artdashës por thjesht klientë dhe konsumatorë. Ose klikues. Kohët moderne kërkojnë që të ndash jetën e përditshme me ndjekësit. Mundësisht edhe ndjesitë më të thella tua bësh të ditura. Ashtu, me sinqeritetin e thellë do fitosh simpatinë e tyre. Idhujt modernë nuk janë më shkrimtarë, muzikantë, piktorë apo skulptorë. Në masë të madhe janë sportistë, ikona mode, aktorë, gangsterë dhe politikanë. Është një rendje e fortë, masive, drejt lehtësisë që gjen mishërimin më domethënës në konsumin e narkotikëve.
3. Urrejtja
Komunikimi masiv, vitrina botërore e rrjeteve sociale, ka nxjerrë në pah jo vetëm cilësitë dhe deliret e gjithësecilit por sidomos urrejtjen që vlon brenda nesh. “Pjesa më e bukur e çdo postimi -më tha një shok imi- janë komentet. Unë as e shoh postimin fare, shkoj direkt te komentet”. Nuk ka rëndësi se çfarë ti ke hedhur në strofkullën e ujqërve socialë, ata do të të masakrojnë. Sidomos nëse ti ke sharë idhullin e tyre, aty pastaj kap nivele astronimike likesh, komentesh, share. Në Amerikë u vra Charli Kirk, një ndër apostujt më të njohur të të djathtës. Një atentat spektakolar nga një vrasës i mbushur me mllef për qasjen joliberale të Kirkut. Atmosfera ngarkohet me jone urrejtjeje dypalëshe. Asnjëherë më parë nuk kisha lexuar komente kaq të gëzuara për vdekjen e një njeriu nga njerëz që i quaja me pikëpamje liberale.
“Është vetvrasje më shumë sesa vrasje”, “Marrtë me vete edhe të tjerë”, “Atje ku ke mëkatuar do të gjesh fundin tënd” etj etj. Një kënaqësi nga vdekja, një thirrje për të vrarë. Edhe liberalët janë pushtuar nga ethet asgjësuese të urrejtjes. Nuk po shkoj më tej në krahun e kundërt ku vetëpërmbajtja apo tolerance asnjëherë nuk është konsideruar virtyt.
Bota po polarizohet frikshëm çdo ditë. Luftërat janë në ajër. Izraelitët po kërkojnë të zhdukin çdo palestinez të mundshëm dhe e bëjnë këtë me referenca biblike apo historike justfikuese. Provo të shkruash pro ose kundër tyre. Menjëherë shfaqen partizanët reciprokë. Mendimet janë shpesh të veshura me stof arsyeje si fillim. Derisa situata përkeqësohet dhe arsyeja griset si rrobë dhe del urrejtja lakuriq. Në Nepal njerëzit ishin gati të digjnin të gjallë udhëheqësit e tyre. Napalm jo Nepal, si në mesjetë. Në Shqipëri bëjmë thirrje që të bëhemi si nepalezët. Dhe sa keq që nuk jemi ashtu – duket sikur thonë. Unë them shyqyr që sjemi ashtu. Nuk e dua dhunën, revolucionin. Çdo pushtet i ardhur me dhunë ka qenë i dhunshëm. Shkojmë në Kosovë, një vend krejt i vogël me popullsi më pak se dy milionë banorë, një shtet i panjohur nga gjysma e botës, një mollë sherri mes Lindjes dhe Perëndimit.
Ka vetëm një aleat Kosova në arenën e egërsirave -fatmirësisht është Luani. Por, çdo ditë që ka falë Zoti flet për broçkulla demokratike si pavarësi, vendosje ligji në veri dhe luftë antikorrupsion. Sikur jeton në një botë liberale të viteve 2000 jo në një arenë egërsisrash që janë gati ta shqyejnë. Është preja më e brishtë e tyre. Në fakt duhet vetëm të rrijë pas luanit dhe të mos bëjë zë. Të marrë edhe frymë përmes gojës së tij, të struket kur është me nerva Luani dhe të thotë “Po” për gjithçka. Dhet ë shpresojë që, duke bërë kështu, Luani nuk do ta lëshojë. Ky vend dy milionësh ka vetëm një çështe madhore të shtruar për zgjidhje: të shkatërrojë të kundërtin e vet.

Në gjyqin e Hagës dje kishte një pohim të përzishëm nga grupi i udhëheqjes së sotme të Kosovës: “Pra, Hashim Thaçi nuk paska qenë udhëheqësi i UÇK-së, kryeheroi dhe legjenda që na shitke mend ne”.

Ata e donin hero në Hagë. Mundësisht vetëm në Hagë. Për aq kohë sa të merrte dënimin. Ta nxirrnin si Kryekomandantt ë UÇK-së, të lidhur me vrasjet, ta dënonin 20 vjet, të kompromentonin luftën çlirimtare të Kosovës, të kompromentonin Amerikën. Këtë ëndërronin. Ndaj u pezmatuan shumë. Unë mendoj se një komb duhet udhëhequr nga disa kode morale jo asgjësuese. Hashim Thaçi i bën punë Kosovës si i pafajshëm. Edhe vetes sigurisht.

E kam shkruar edhe një herë tjetër që për të shkuar përpara duhet vendosur njëherë paqja e brendshme e Kosovës. Duhet që liderët të mos shihen si kafshë që hidhen në arenë, por si njerëz që ulen, flasin gëzohen për njëri tjetrin, ushqejnë paqen. Të mos ushqejnë deliret e urrejtjes por vegzat e arsyes.