Presidenti Donald Trump njoftoi se plani për paqen dhe armëpushimin, mes Izraelit dhe Gazës është nënshkruar me sukses nga të dy vendet. Ai tha se të gjithë pengjet do të lirohen dhe se Izraeli do të tërheqë turpat e tij nga territori i tyre. 

Sipas Trump, plani prej 20 pikash do të vihet në zbatim menjëherë. Këtë e konfirmoi përmes një postimi në rrjetet sociale. Qeveria e Izraelit miratoi armëpushimin në Gaza dhe planin e lirimit të pengjeve, tha zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë.
 
"Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të dakordësuar si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme", shkroi ai në rrjetet sociale.

Por çfarë do të ndodhë në fazën e parë të këtij plani ?
 
BBC shkruan se faza e parë e planit përmban pikat e listuara më poshtë, të cilat priten të hynë menjëherë në zbatim. Tani që marrëveshja është miratuar zyrtarisht nga kabineti izraelit, një armëpushim pritet të hyjë në fuqi.

1- Ushtria izraelite do të tërhiqet në një vijë që do ta lërë atë nën kontroll të rreth 53% të Rripit.

2- Pas kësaj, do të fillojë një numërim mbrapsht 72-orësh gjatë të cilit Hamasi duhet të lirojë të 20 pengjet që besohet se janë gjallë. Do të pasojë kthimi i trupave të 28 pengjeve të ndjera, megjithëse nuk është e qartë se sa kohë mund të zgjasë kjo.

3- Izraeli do të lirojë rreth 250 të burgosur palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme në burgjet izraelite dhe 1,700 të paraburgosur nga Gaza.

4- Izraeli gjithashtu do të kthejë trupat e 15 banorëve të Gazës për mbetjet e secilit peng izraelit, sipas planit të Trump.
 
5- Qindra kamionë që transportojë ndihma humanitare do të fillojnë të hyjnë në Gaza.

Plani i Trump specifikon se 600 ngarkesa kamionësh do të dorëzohen çdo ditë. Një forcë shumëkombëshe prej rreth 200 trupash e mbikëqyrur nga ushtria amerikane do të monitorojë armëpushimin në Gaza, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Kjo fazë përfundimtare është një perimetër sigurie, i cili që do të mbetet derisa Gaza të jetë e sigurt siç duhet nga çdo kërcënim./Dosja.al