Katy Perry konfirmoi se është në një lidhje me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Gjatë koncertit të së enjtes në Pragë, një fans i propozoi këngëtares me një pankartë, por ajo e refuzoi me humor: “Jo! Po dal me dikë tjetër,” u tha Perry të pranishmëve, sipas një videoje në TikTok.

Kjo “po” indirekte vjen pak ditë pasi dyshja bëri paraqitjen e parë publike bashkë në kabarenë Crazy Horsenë Paris, ku festuan 41-vjetorin e këngëtares. Burime për Page Six thonë se Trudeau, 53 vjeç, “është i çmendur pas saj” dhe se të dy “janë në të njëjtën gjatësi vale” për shumë gjëra nga politika, te fëmijët e deri te ushqimi francez.

Thashethemet për romancë nisën në korrik, kur Perry dhe Trudeau u panë në darkë në restorantin elegant Le Violon në Montreal. Pak ditë më vonë, Trudeau u fotografua në Bell Centre duke ndjekur koncertin e turneut “Lifetimes”, ndërsa këtë muaj paparacët i kapën në një dalje romantike me jaht pranë Santa Barbara, Kaliforni.

Jo të gjithë janë entuziastë: disa burime të tjera e kanë cilësuar këtë lidhje si “krizë të mesit të jetës” për ish-kreun e qeverisë kanadeze. Trudeau u largua nga posti i kryeministrit në janar, pas gati një dekade në detyrë, dhe u nda nga bashkëshortja Sophie Grégoire-Trudeau në gusht 2023. Nga ana tjetër, Perry u nda në qershor nga i fejuari Orlando Bloom, pas afro 10 vitesh lidhje.

Për momentin, as Perry dhe as Trudeau nuk kanë komentuar më tej publikisht, por pamjet dhe daljet e tyre të fundit duket se flasin vetë.