Prej vitit 1864, në bregun Mediteran të juglindjes së Francës, njohur ndryshe si Riviera Franceze (Côte d'Azur), qëndron simboli i luksit të pavdekshëm “Hotel de Paris”. Më tepër se një hotel, ndërtesa e cila përfaqëson standartin e artë të pushimit, ofron për vizituesit e saj rreth një mijë metra katror tarracë me pamje mbresëlënëse nga zemra e Monte Carlos, si edhe është drejtpërdrejtë e lidhur me “Thermes Marins Monte-Carlo” një kompleks dedikuar mirëqënies, fitnesit, bukurisë dhe shëndetit, me një hapësirë rreth gjashtë mijë e gjashtëqind metra katror.

Rikthyer nga një cikël katër vjecar rinovimi masiv, të një kostoje prej dyqind e tetëdhjetë milion dollarësh, shërbimet e luksit sot gjenden në një tjetër nivel përsosmërie. I vendosur në të famshmen “Place du Casino” të Monakos, “Hotel de Paris” ofron dhjetë tipologji dhomash, duke nisur nga ato “Superior apo “Deluxe”, e për të vazhduar me Suitat e famshme “Junior”, “Deluxe”, apo “Diamond”, të ndara sipas standartit të pamjes “Sea”, “Patio”, “City”, “Casino” dhe “Harbour”.

Përvec akomodimit cilësor, i cili bën dallimin deri në detaj, hapësirat e zgjedhjes për argëtim janë gjithashtu të përvetshme. Me gjashtë opsione restorantesh që garantojnë shërbimin dhe produktet e cilësisë më të lartë, misioni për të kënaqur të gjitha shijet dhe preferencat është lehtësisht i realizueshëm.

Në mesin e opsioneve për të drekuar apo darkuar gjithmonë me stil, ndodhet edhe një ndër restorantet më në zë të kuzhinës Mediterrane në Monte Carlo, Le Louis XV - Alain Ducasse, i vlerësuar me tre yje Michelin. Ky, duke mos qënë i vetmi restorant që mban firmën prestigjoze të “Michelin”, pasi Le Grill gjithashtu fitoi yllin e tij të parë në janar të vitit 2019, vetëm një vit e gjysmë pas hapjes, duke u kthyer në një tjetër sukses të “Hotel de Paris”.

Për të mos lënë pa përmendur aromën e çajrave dhe ëmbëlsirave të mjeshtrit francez Cedric Grolet, e cila medoemos mbush korridoret e stilit Belle Époque dhe Art Nouveau. Grolet gjithashtu me një elegancë të përhershme, ka krijuar hapsirën e tij të gjelbërt e plot sharm, në mesin e terrenit të “Hotel de Paris”. Mes macarons, pastave e kruasanëve gatuar me dashuri e shije, opsionet që nisin me lehtësinë e shërbimit “Takeaway”, e deri tek luksi i të rezervuarit një dhomë degustimi private cajrash, Cedric ka menduar për të gjithë.

“Cafe de Paris” mbetet oazi i rehatshëm, që mbledh turistët të cilët duan ta përftojnë pamjen e doormen-eve të moshuar me kostume të zeza apo të bardha e me cadra nëpër duar, si edhe të makinave të shtrenjta ndërsa realizojnë paradën e tyre “shkujdesur”, pa shkëputje apo shpërqëndrime. Sa i takon mbrëmjes, bari shik “Bar Américain”, është vendi ku fjalët rrjedhin nën tingujt e pianos dhe krijojnë qetësine e shpirtit, krah asaj të mendjes.

Termet “Marins” të Monte Carlo-s janë gjithashtu një hapësirë, ku kujdesi ndaj vetes, trajtimet e personalizuara, që përfshijnë masazhet terapeutike apo relaksuese, detoksin, fitnesin apo edhe castet e paqta buzë pishinës së jashtme, me pamjen nga porti i varkave, apo atë të brëndshmen, kthehen në motivin kryesor.

Nga "pasionet" e pashëndetshme si kazinot, "Le Casino, Monte Carlo" me një shifër totale fitimi që arrin deri në treqind milion euro vetëm përgjatë vitit te kaluar, deri tek sportet si tenisi apo golfi me fushat nëntëqind metra mbi nivelin e detit, "Hotel de Paris" është rimishërimi i luksit, dhe standarti i të jetuarit mirë, të cilin pushuesit e stilit "Old-Money" e kërkojnë në cdo detaj.