
Dafina Zeqiri po bën atë që dikur dukej e paimagjinueshme për një personazh publik.
Në një video të postuar në Instagram, këngëtarja njoftoi se ka hequr fillerin e buzëve. Ajo ka publikuar një video ku shkruan “Zyrtarisht kam hequr lipfiller-in tim”.

Për gati një dekadë, buzët e fryra kanë qenë karta e identitetit vizual të një brezi.
Sot, fotografitë e Dafinës dhe personazheve të tjera flasin për një kthesë të ngadaltë: natyraliteti po rikthehet si trendi i ri.
Në skenën ndërkombëtare, kjo lëvizje ka nisur prej kohësh të marrë formë. Media të huaja kanë vënë re një “valë të dytë” në estetikë: jo më sa më shumë volum, por sa më shumë balancë. Yje si Tallulah Willis, Lisa Rinna, Olivia Culpo, e kanë dokumentuar hapur procesin e shkrirjes së filler-ëve, duke folur për varësinë emocionale nga “fytyra e re” dhe për nevojën për t’u rikthyer te vetja.
Ironia është se pikërisht ato që e shndërruan “lip filler”-in në trend global, po ndihmojnë sot në heqjen e tij.
Kylie Jenner, simboli absolut i buzëve të mbushura, pranoi kohë më parë se i kishte hequr të gjitha filler-at, duke e lidhur këtë me dëshirën për një pamje më natyrale. Ndërkohë, në analizat për transformimin estetik të Khloé Kardashian, përmendet fakti që ajo ka tretur një pjesë të filler-ëve për t’iu afruar një pamjeje më pak të “shtyrë” dhe më shumë në përputhje me tiparet e saj reale.
Madje, raportime mbi tendencat e kirurgjisë estetike flasin për një “great deflation”, një “shfryrje të madhe”, edhe në shifrat e procedurave, ku shumë gra po kërkojnë të zbehin ndërhyrjet, jo t’i shtojnë ato.
Shumë vajza dhe gra që kanë hequr filler-at tregojnë se, më shumë sesa pamja, i ka shqetësuar fakti që nuk po e njihnin më veten. “Fytyra ime dukej pak e çuditshme, pak ‘off’”, siç e përshkruan Courteney Cox, e cila po ashtu i ka hequr filler-at pas vitesh me ndërhyrje.
Nuk ka asgjë të gabuar te estetika, te filler-at, te dëshira për të ndryshuar diçka. Ajo që po ndryshon është narativa: nga “duhet të bësh diçka me fytyrën tënde” po kalojmë te “duhet të ndihesh mirë me fytyrën tënde, çfarëdo që të zgjedhësh”.
Vendimi i Dafinës, Kylit apo Khloé, nuk është manual për askënd. Por është një ftesë për ta rimenduar pyetjen bazë:
A po i bëj këto gjëra që të më pëlqejnë të tjerët, apo sepse dua të shoh veten dhe të them: po, kjo jam unë?
