
Mungon vetëm zyrtarizimi, por lajmi duket thuajse i sigurt: Harper Beckham pritet të lançojë shumë shpejt linjën e saj të bukurisë.
Arsyeja pse kjo po merret pothuajse si e konfirmuar është regjistrimi, pak javë më parë, i markës “HIKU by Harper”, e depozituar përmes kompanisë H7B, një shoqëri e krijuar nga Victoria Beckham në emër të vajzës së saj, që i referohet emrit të plotë: Harper Seven Beckham.
Nga njëra anë, ky hap nuk është aspak surprizë. Në serinë dokumentare të Netflix, Victoria ka folur shpesh për pasionin e Harper-it për kujdesin e lëkurës dhe ka bërë shaka se vajza mund të kthehet në një “manjate të bukurisë” ose në një komediane kur të rritet.
Ajo që mbetet, të paktën, e diskutueshme, është mosha: Harper i mbushi 14 vjeç në korrik 2025. Qartësisht shumë e re jo vetëm për të ditur nëse “ëndrra e jetës” është të drejtojë një kompani, por edhe për të dhënë këshilla mbi skincare dhe make up.
Dhjetë vite më parë, kur Kylie Jenner krijoi Kylie Cosmetics në moshën 18-vjeçare, pati shumë zhurmë rreth idesë që një adoleshente po bëhej themeluese e një perandorie bukurie. E njëjta gjë ndodhi me Florence by Mills, linja e Millie Bobby Brown, lançuar kur ajo ishte 17 vjeç. Ironia është se sot askush nuk çuditet më madje vajza edhe më të vogla, shpesh fëmijë në kuptimin e plotë të fjalës, kanë zënë skenën.
Boom-i i industrisë kozmetike e cila sipas Euromonitor International ka arritur vlerën 568,2 miliardë euro në vitin 2024, me rritje të pritshme +8% në 2025 dhe rritja e platformave si TikTok, kanë prodhuar qindra profile të të miturve që i flasin bashkëmoshatareve të tyre, ndërsa përgatiten për në shkollë në mëngjes ose për në shtrat në darkë.
“Get ready with me” të voglave, që imitojnë në çdo detaj influencueset e rritura: të njëjtat lëvizje, të njëjtin ton zëri, por mbi të gjitha të njëjtin numër produktesh serum pas serumi, kremra me acide, maska, contour, blush, gloss shpesh të dhuruara nga vetë brandet, megjithëse në shumë raste janë të panevojshme, madje potencialisht të dëmshme për një lëkurë kaq të re.
Sepse, përveç rasteve kur ka probleme specifike dermatologjike, lëkura e një vajze 13–14 vjeçare ka nevojë vetëm për pastrim të butë dhe, në maksimum, një krem të thjeshtë hidratues.
Kjo kulturë e konsumit të shfrenuar, e nxitur nga video argëtuese dhe “cute”, krijon tek vajzat e vogla nevoja të rreme dhe pasiguri të vërteta për pamjen e tyre. Zgjidhja që u jepet? Të mbushin raftet me serumë, krem konturi sysh, maska, blush, buzëkuq… një garë pa fund drejt “bukurisë së përjetshme”, në një moshë kur bukuria e tyre sapo ka filluar të formohet.
Kjo etje për produkte ka sjellë fenomenin alarmant të ashtuquajturve “Sephora Kids” – vajza të vogla që sillen në parfumeri si të rritura, duke kërkuar kremra anti-age dhe trajtime “me përbërës aktivë” që as vetë gratë 40+ nuk i kuptojnë plotësisht. Dhe tregu, në vend që ta frenojë këtë valë, po përpiqet ta shfrytëzojë deri në pikën e fundit.
Dikur target kryesor i industrisë së bukurisë ishin gratë 40 vjeç e lart, në kërkim të “mrekullisë” kundër rrudhave. Sot fokusi po zhvendoset fuqishëm tek preteens dhe adoleshentet – dhe lajmi për markën e Harper Beckham duket se e konfirmon këtë kurs.
Sipas The Sun, që e dha i pari lajmin, Harper pritet t’u flasë drejtpërdrejt bashkëmoshatarëve të saj, duke propozuar produkte për kujdesin e lëkurës dhe make up të frymëzuara nga Korea e Jugut.
Sipas burimeve të tabloidit britanik, Victoria dhe David janë 100% mbështetës të kësaj nisme:
“Beckham-ët janë prindër jashtëzakonisht inkurajues kur bëhet fjalë për të nxitur talentet e fëmijëve të tyre dhe për t’i lejuar të eksplorojnë idetë e tyre të biznesit. Janë një familje me shpirt të fortë sipërmarrës,” –citohet të ketë thënë burimi.
Në fakt, nuk është hera e parë që familja Beckham mbyll radhët rreth një projekti të një fëmije: përpara se marrëdhëniet të kriseshin, ata kanë ndihmuar edhe djalin e madh, Brooklyn, të lançojë markën Cloud 23, që shet salca pikante “gourmet”.
Ndjesia? Për reelin e parë dhe produktet e para të HIKU by Harper, nuk do të na duhet të presim gjatë.
