
Ermal Mamaqi është rikthyer në qendër të debatit publik pas disa deklaratave të forta mbi konceptin e varfërisë, të dhëna fillimisht në “Top Albania Radio” dhe më pas të ripërsëritura e të sqaruara në emisionin “Goca dhe Gra”.
Aktori, producenti dhe trajneri i njohur motivues u kritikua ashpër në rrjete sociale, pasi u interpretua se ai mendon se njerëzit e varfër “e meritojnë” gjendjen në të cilën ndodhen. I ftuar në “Goca dhe Gra”, Mamaqi vendosi t’i kthehej temës për të shpjeguar se çfarë ka pasur realisht parasysh.
Sipas tij, fjala “e meritojnë” lidhet me zgjedhjet dhe mënyrën e jetesës, dhe jo me vlerën njerëzore të një individi. Ai u shpreh:
“Kush punon 12 orë nuk është i varfër. Unë i referohen disa forma të ndryshme të dembelizmit. Nëse je dembel 40 vjeç ti e meriton atë status që ke. Për mua varfëria më e madhe nuk është pjesë e financave. I varfër quhesh kur nuk mbyll dot shpenzimet minimale. Fjala e meriton ka dy kuptime, e para askush nuk e meriton të jetë i varfër nga pikëpamja njerëzore, por nga ana tjetër janë ata që kanë zgjedhur, dhe si pasojë e atyre ti merr atë që ke programuar dhe planifikuar”.
Me këtë, ai tentoi të bëjë dallimin mes varfërisë si realitet ekonomik dhe si pasojë e zgjedhjeve personale në jetë, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz në moshë madhore që, sipas tij, nuk përpiqen të ndryshojnë situatën e tyre.
Në vijim të bisedës, Mamaqi dha edhe një “alarm” për të gjithë ata që sipas tij “rrinë rehat” dhe nuk marrin masa për të rritur vlerën e tyre në tregun e punës, duke përmendur ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në të ardhmen.
“Çohu edhe bëjë diçka sepse shumë shpejt robotët do vinë dhe do na zënë vendin. Ne marrim atë që tolerojmë. Nëse je në këtë pikë që ke bërë një vlerësim dhe diçka nuk shkon duhet të ndryshon diçka”.
Ai përmendi edhe konceptin e “0 based thinking”, një term që përdoret shpesh në librat e vetëzhvillimit dhe në trajnimet motivuese:
“0 based thinking, pra të menduarit nga 0. Duke dikur këtë që di a do e bëja më këtë që po bëjë?”
