
Figura e “njerkës” shpesh shihet me paragjykim, mitizuar nga filmat, thashethemet dhe stereotipet, por Rudina Dembacaj ka zgjedhur ta çmontojë këtë imazh nga përvoja e saj personale. Në emisionin “Goca & Gra”, moderatorja dhe aktorja e njohur foli hapur, mes emocioneve dhe lotëve, për rolin e saj si njerkë e tre fëmijëve të bashkëshortit, Mark Frroku, dhe për familjen e tyre “me tre mbiemra”.
Rudina tregoi se asgjë nga kjo nuk ka qenë e lehtë, as e planifikuar, por se dashuria i ka dhënë kuptim dhe forcë një rrugëtimi të vështirë, por shumë të bukur. Ajo pranoi se biologjikisht nuk ndihej gati për katër fëmijë, por zemra iu zgjerua përtej llogarisë së gjakut dhe mbiemrit.
“Unë jam njerkë, është sfidë shumë e madhe dhe gjë shumë e vështirë sepse biologjikisht, të paktën gjithmonë nisem nga vetja kur them opinione të gjërave që unë i kam përjetuar. Biologjikisht nuk isha gati për 4 fëmijë, pra isha nënë e një fëmije të mitur dhe më pas u dashurova dhe u martova me një burrë që ka 3 fëmijë. Sigurisht që është sfidë shumë e madhe dhe e vështirë, por në momentin që ka dashuri në mes, bëhet edhe gjëja më e bukur në botë. Pra, një familje me 3 mbiemra arrin të bëhet kompakte është arritje shumë e madhe, pavarësisht se ka ulje dhe ngritje nga më të ndryshmet.”
Gjatë bisedës, Ori Nebijaj e pyeti nëse e kishte ndjerë paragjykimin e etiketes “njerkë” nga shoqëria:
“Është shumë i rëndësishëm ambienti me të cilin rrethohen fëmijët. Fëmijët e mi janë rrethuar nga një ambient dashamirës dhe them që kam patur këtë lloj fati, që të kenë ambient dashamirës kundrejt meje, por jo të gjithë. Ka patur edhe njerëz që me kast i kanë lënduar duke më atakuar mua. I kanë bërë të ndihen keq duke i lënë të kuptojnë që shkaku i të ndjerit të tyre keq mund të jem unë. Koha më pas ka treguar shumë gjëra dhe nga unë nuk është se kanë ngelë pa përgjigje. Ka qenë e vështirë por më kanë ndihmuar shumë miqtë e mi.”
Rudina pranoi se gjërat u bënë edhe më delikate kur fëmijët hynë në adoleshencë periudha më sfiduese për çdo prind, aq më tepër për një njerkë:
“U bë pak më e vështirë kur fëmijët erdhën në moshën e adoleshencës. Roli i njerkës është një gjë shumë e madhe kur ti arrin në një pikë që ti nuk mund t’i ndash më fëmijët. Nëse më përpara kam patur njërin nga ata të preferuar, kur ka ardhur momenti që unë nuk i ndaja dot më, aty e kuptova dhe thashë qenkan vërtetë fëmijët e mi. Ne kemi 6 vite që jemi në këtë marrëdhënie dhe kur arritën vështirësitë e moshës së adoleshencës që nuk kanë qenë të pakta, unë kam gjetur mbështetje te miqtë e mia. Patjetër te familja, te mami, te motra dhe te bashkëshorti im, i cili nuk ka hedhur kurrë poshtë të gjithë investimin tim. Por më kanë ndihmuar shumë miqtë e mi që kishin fëmijë adoleshentë, shkëmbeja eksperienca. Gentian Zenelaj të dua shumë, ndanim eksperienca dhe e kuptoja se edhe fëmija biologjikisht i joti është i vështirë në adoleshencë, jo më t’i kesh fëmijët e partnerit. Tani jam në një fazë që i jam shumë falënderuese Zotit që për Viktorian janë dy motra dhe një vëlla.”
Rudina e përshkroi këtë rol si sfidë, por edhe bekim. Ajo pranoi hapur se nuk është perfekte, se ka gabime, ulje-ngritje, por theksoi se në fund të ditës, ajo e sheh veten nënë të të katër fëmijëve – pavarësisht mbiemrit.
View this post on Instagram
