Pas një periudhe të gjatë larg syrit të publikut, ish-banorja e Big Brother VIP Albania 3, Sara Gjordeni, është rikthyer në ekran dhe ka folur hapur për një nga fazat më të vështira të jetës së saj: periudhën pas lindjes së vajzës, Nea.

E ftuar në emisionin “Goca & Gra”, Sara tregoi se shkëputja nga ekrani nuk ishte thjesht një zgjedhje profesionale, por një nevojë e thellë emocionale dhe psikologjike, e diktuar nga ajo që më vonë e kuptoi se ishte post-partum.

Ajo rrëfeu se fillimisht nuk e dinte çfarë po i ndodhte, derisa nisi të informohej dhe të kërkonte ndihmë profesionale.

“Për shumë gjëra duke nisur që nga shëndeti shpirtëror, ngarkohemi, ardhja në jetë e një fëmije ta ngarkon edhe rutinën. Mu desh një shkëputje dhe besoj që më ka bërë shumë mirë. Njoha disa nga simptomat e post-partum. Unë i kam ndjerë këto simptoma 8 muaj pas lindjes dhe nuk e dija që ishin ato. Kisha lëkundje emocionale dhe isha e mërzitur. Pastaj nga informacionet e kuptova. U konsultova me mjeken dhe më tha të marr kohë për veten.
Kisha një mërzi që nuk e dija se nga më erdhën. Më bezdisnin më shumë gjëra seç duhej. Shenja e parë ishte që nuk duroja dot shumë zhurma, kur mbivendoseshin gjërat. Kam një partner shumë suportues që ka luajtur një rol shumë të madh, e kam kuptuar që kam bërë zgjedhjen e duhur. Jam shumë me fat për të. U largova nga gjithçka.”

Sara pranoi se u tërhoq nga ekrani dhe angazhimet publike, për t’u fokusuar te shëndeti i saj mendor dhe roli i ri si nënë.

Një nga shtyllat më të forta në këtë periudhë ka qenë partneri i saj, këngëtari Bardh Idrizi, me të cilin ajo nisi romancën brenda shtëpisë së Big Brother VIP. Ajo tregoi se Bardhi ka qenë pranë saj në çdo fazë të vështirë pas lindjes.

Nea ka ndihmuar shumë, është shumë klishe të flasësh për fëmijën por vetëm ideja që ke një palë sy që të shohin të mbush me shpresë dhe thua që unë duhet të jem shembull për të, të jep goxha forcë. Jam përpjekur ta shohë shumë pozitivisisht dhe si një proces transformues në prind.
Edhe për të ka qenë e vështirë. Artistët janë shumë të ndjeshëm i përjetojnë shumë intensivisht. Ka pasur moment që i është dukur pak e vështirë por e ka menaxhuar në një mënyrë të jashtëzakonshme. Jam shumë krenare.”