Në një botë të mbushur me shpërqendrime, ku çdo ditë përballemi me një mbingarkesë informacioni, të kesh një kujtesë të mprehtë është një aftësi e rrallë dhe jashtëzakonisht e vlefshme. Ky artikull analizon se si disa njerëz arrijnë të mbajnë mend detaje me saktësi befasuese, si imazhe, fjalë apo ngjarje dhe tregon se prapa kësaj nuk fshihet ndonjë talent i lindur, por zakone të përditshme që mund t’i zhvillojë kushdo. Kujtesa “fotografike” nuk është një dhuratë magjike; është rezultat i përqendrimit, ushtrimit të trurit dhe ndërtimit të lidhjeve të forta mendore.

1. Metoda e “Pallatit të Kujtesës” 

Një nga teknikat më të njohura, e përdorur që në kohën e Romës së lashtë, është metoda e pallatit të kujtesës, e cila konsiston në vendosjen e informacionit që duam të mbajmë mend në “vendet” e imagjinatës sonë, për shembull, nëpër dhomat e një shtëpie, rrugë të njohura apo objekte të përditshme. Kur duam ta rikujtojmë informacionin, “ecim” mendërisht nëpër ato hapësira, duke e rikthyer çdo detaj në kujtesë. Kjo metodë forcon lidhjet vizuale dhe hapësinore, duke e bërë kujtesën një proces aktiv dhe kreativ, jo një detyrë mekanike.

2. Përdorimi i simboleve dhe rimave

Njerëzit me kujtesë të jashtëzakonshme shpesh i lidhin informacionet me figura, tinguj apo ritme. Kjo quhet metoda e “peg memory”, ose kujtesa përmes lidhjeve. Për shembull, për të mbajtur mend numra apo lista, mund të krijohen lidhje simbolike, si të lidhësh numrin “2” me fjalën “zoo”, ose të përdorësh rimë apo ritëm për të rikujtuar fjalët. Truri reagon më shpejt ndaj figurave dhe tingujve sesa ndaj tekstit të thatë, prandaj këto lidhje bëhen ura që ndihmojnë kujtesën të rikthejë informacionin më shpejt.

3. Metoda e fokusit intensiv (teknika ushtarake)

Kjo teknikë e përdorur në trajnime ushtarake dhe profesionale konsiston në ekspozimin e trurit ndaj informacionit në intervale të shkurtra, por të fokusuara, duke e ushtruar për ta rikthyer menjëherë më pas. Për shembull, lexohet një tekst për disa sekonda, mbyllen sytë dhe përpiqesh të rikrijosh çdo detaj në mendje. Ky proces përsëritet derisa rikujtimi bëhet natyral. Me kalimin e kohës, truri mëson të reagojë si një “kamerë”, që fikson pamjet dhe fjalët përmes vëmendjes së përqendruar.

Çdokush mund të përmirësojë kapacitetin e tij për të mbajtur mend, nëse e trajton trurin me të njëjtën përkushtim si trupin. Praktikat si meditimi, leximi aktiv, përqendrimi dhe metodat e përmendura ndihmojnë jo vetëm në zhvillimin e kujtesës, por edhe në rritjen e vëmendjes dhe qartësisë mendore.

Në një epokë ku harrojmë lehtë për shkak të ritmit të shpejtë të jetës, të kujtosh bëhet një formë arti dhe ndoshta, mënyra më e thjeshtë për të rifituar kontrollin mbi mendjen tonë.

Photo by Lisa from Pexels: https://www.pexels.com/photo/collection-of-old-instant-photos-with-trips-5653734/