
Shpesh herë një komples inferioriteti i çuditshëm dhe një mani për të ngritur në piedestal fenomene apo vende të huaja si të ishin të përsosura, kaplon këtë popullin tonë. Ditën, rehatuar në një kafene “Është për të ikur natën”; e natën: “Po ku ka si Shqipëria?”.
E në fakt sa të rralla janë vendet si kjo Shqipëria jonë, ku me kontraditën në reflektime dhe ndjesitë e përziera “dashuri-urrejtje” që marrin formë më të qartë gjatë një ndeshjeje futbolli, kur një artist fiton famë edhe përtej kufijve, apo sipas shprehjes “vdis pa të të dua”, vijnë edhe peisazhet e vlerat pa çmim të një trashëgimie që kënaq shpirtin, syrin e mendjen.
Nga jugu në veri, lumenjtë, malet, liqenet, kodrat, kështjellat, pazaret e vjetra, rrugicat me kalldrëm, arkitektura autentike, të gjitha kontriubojnë që karakteri i kësaj Shqipërisë tonë të jetë jo vetëm unik, por të ketë fituar edhe dashurinë e vëmendjen e turistëve nga gjithë bota.
Adhuruesit e ujërave kristal mund të shijojnë rrezet në brigjet e Vlorës, Sarandës apo Ksamilit mes turkezes së pastër dhe varkave më bukur se kartolinat. Ndërsa dashamirësit e natyrës, të cilët marrin adrenalinë kur prekin majat e maleve më të larta, duke mbërritur në panoramat e gjelbërta mbushur me ajrin e pastër të veriut, Tropoja, Thethi, Valbona janë oazi për qetësinë e shpirtit!
Kur gjurmët e së shkuarës bëhen bashkë me arkitekturën moderne dhe frymën bashkëkohore ngre krye Tirana, e cila nga kalaja tek gradaçielat bën bashkë brezat. Pazaret? Ku i gjeni më të bukur se në Krujë apo në Korçë? Veshjet tradicionale, bizhuteritë me simbolin e shqiponjës dhe suveniret janë disa nga dhuratat më simbolike për njerëzit e zemrës!
Çfarë të vizitosh përpara në këtë Shqipërinë me krahët ngado!
