
Flasim për çantat, këpucët apo veshjet e markave më të njohura, por këto nuk janë artikujt e vetëm që ato prodhojnë. Përkundrazi, koleksionet e “home decor” po gjenerojnë një numër të konsiderueshëm shitjesh, thuajse duke i “vjedhur” shkëlqimin modës.
Koleksionet e këtyre markave “high-end” vijnë me bukurinë dhe çmimet e tyre të kripura. Nga orenditë për dekorin e brendshëm, organizimin, shtrimin e tavolinave, apo edhe zbukurimeve të vogla si qirinjtë e tabakatë, është e vështirë të zgjedhësh e aq më pak të kesh një të preferuar.
Në varësi të paletës së çdo njërës prej tyre, këto brand-e kanë ruajtur autenticitetin dhe elementët dallues edhe në artikujt për shtëpi. Dior me kombinimin e dy ekstremeve, ngjyrave të forta dhe atyre pastel, ka sjellë në linjën e tij për adhuruesit e dekorit të brendshëm sete të ndryshme gotash, pjatash e orendish të veçanta. Louis Vuitton i qëndron nuancave të kafes, njejtë si edhe Gucci filozofisë për një logo që bën “boom”. Dolce Gabbana vjen me ngjyra e dizenjo të qeshura, si edhe në koleksionet e mëparshme me brand-in Bialetti e jo vetëm.
Në galerinë tonë të opsioneve qëndrojnë njëra më e bukur se tjetra, e kush me më shumë zero se tjetra!
