
Habiteni po t’ju themi se është sërish Balenciaga, marka që vjen me produktet e saj të çuditshme “overpriced”? Këtë herë nuk është një tjetër fund-peshqir, por një çantë në formën e qeses së mbeturinave.
“Trash Pouch” ishte artikulli që erdhi nën drejtimin kreativ të Demna Gvasalia, i cili ia ka dalë përherë të jetë kryefjalë e diskutimeve të modës, me çdo prekje për “brand”-et që kuron. Fenomeni i shumë diskutimeve, preku pasarelat e modës me koleksionin Fall/Winter 2022.
Në ndryshim nga qesja e zakonshme e mbeturinave, të paktën kjo e Balenciaga është bërë nga lëkura e viçit (calfskin leather) që i jep shkëlqimin në dukje dhe ndjesinë luksoze në prekje. Çanta vjen në ngjyrën e zezë, të verdhë, të bardhë e blu, si edhe dizajni mundëson ngushtimin në krye të saj për tu mbajtur në krah apo për tu hedhur shkujdesur në sup.
Çmimi i lançimit $1,790 solli reagime të shumta nga kritikët si edhe njerëzit e thjeshtë, ku ata që e shihnin si një absurditet apo objekt për ironi kryesonin. E ndonëse e gjykuar në masë, rezulton se disa kanë parë tek ajo diçka më tepër se një qese mbeturinash, duke e berë të shitet shpejt e të shërbejë si një “hype-piece” për markën.
Trash Bag bën pjesë në atë që njihet si “trash couture”, e cila sfidon konceptet tradicionale të modës. Ç’mendim keni ju për këto absurditete të markës, nën cilësimin “fashion”?
