Vdekja e papritur e këngëtarit Shpat Kasapi ka tronditur publikun dhe skenën muzikore shqiptare, duke sjellë një valë dhimbjeje, dedikimesh dhe homazhesh në rrjet. Por mes ngushëllimeve dhe kujtimeve për artistin, ka nisur edhe një debat i nxehtë mbi etikën dhe solidaritetin mes kolegëve në momente zie.

Këngëtarja Adelina Tahiri, në një intervistë për emisionin “Kosova Live” në T7, ka reaguar ashpër ndaj Adelinës Ismaili, duke e kritikuar për mënyrën se si ajo e ka menaxhuar mbrëmjen e koncertit të saj, i cili u mbajt pikërisht natën kur u dha lajmi tragjik për ndarjen nga jeta të Shpat Kasapit.

Tahiri u shpreh se, pavarësisht se e vlerëson karrierën dhe sukseset e Adelinës Ismaili, asaj i ka munguar një gjest minimal respekti në skenë.

“Unë e përgëzoj për arritjet, sukseset, por atë natë në koncert është dashtë të mbajë të paktën një minutë heshtje, një fjalim i shkurtër… s’po them ta anulojë koncertin, larg asaj, po të kishte vetëm diçka aty,” –u shpreh Adelina Tahiri.
Më tej, ajo e ashpërsoi tonin, duke e cilësuar të pafalshme mungesën e çdo përmendjeje për Shpatin gjatë performancës:

“E mjerueshme që nuk e ka kujtuar fare,” –tha ajo, duke hapur një debat të gjerë në rrjet.

Reagimi i Tahirit ka ndarë opinionin publik: një pjesë pajtohet që në raste të tilla, artistët kanë një lloj përgjegjësie morale për të reflektuar dhimbjen kolektive dhe për të nderuar kolegët e ndjerë, qoftë edhe me një minutë heshtje apo një fjali të vetme në skenë. Të tjerë mendojnë se nuk mund t’u diktohet artistëve si ta përjetojnë dhe si ta shprehin publikisht ziën, sidomos nëse koncertet janë planifikuar prej kohësh dhe mbartin përgjegjësi të mëdha organizative.

Ndërkohë, nga ana e Adelinës Ismaili nuk ka ende një reagim publik.