
Në një nga puntatat e fundit të “Për’Puthen”, Beniada Nishani dhe Aulona Musta u vendosën krah për krah në panelin e opinionistëve, pas një përplasjeje virtuale që ato patën disa muaj më parë.
Gjatë emisionit, moderatorja Megi Pojani pyeti Aulonën:
“A mund të jetë një opinioniste dikush që nuk flet mirë shqip?”
Aulona Musta u përgjigj:
“Patjetër që një opinioniste që nuk flet mirë shqip mund të jetë dhe të japë mendimet e saj, se kushdo ka të drejtë të japë mendime, patjetër dhe një vajzë që nuk flet shumë mirë shqip. Megjithatë, unë i qëndroj idesë sime që një prezantuese nuk mund të jetë dot nëse nuk e flet mirë shqipen. Njësoj siç unë nuk mund të bëj dot një emision politik.”
Beniada, e cila tha se “nuk i interesonte shumë përgjigjja, por do ta dëgjonte nga edukata”, reagoi duke theksuar mënyrën e saj të të shprehurit:
“Unë mendoj që secili prej nesh ka karakteristikat e veta dhe secili ka mënyra të ndryshme të të shprehurit. Mbase ka njerëz që nuk e kanë gramatikën perfekte, por më mirë të flasësh me komunikimin e zemrës sesa me komunikimin perfekt, por me gjuhën e urrejtjes.”
Më pas, Aulona u përpoq të sqaronte se qëndrimet e saj nuk kishin qenë personale dhe se e kishte vlerësuar Beniadën për karakterin dhe bukurinë, por Beniada e mbylli me një koment të shkurtër:
“Do të doja të vazhdoja me programin, sepse po më zë gjumi.”
Përplasja mes Beniadës dhe Aulonës kishte nisur më herët, në qershor, kur Aulona Musta, e ftuar në “The Dalina Show”, u shpreh:
“Për mua fakti që Beniada prezanton një emision pasditeje kur nuk di të flasë shqip siç duhet, në televizion publik…”
Deklarata u mbështet edhe nga Fatma Haxhialiu, e pranishme në podcast.
Pas kësaj, Beniada reagoi në Instagram me një story ku shkroi:
“Është një shprehje shumë e bukur që thotë: ‘Qentë le të lehin dhe karvani ecën përpara.’”
