Prej më shumë se një dekade, Ed Sheeran dhe Taylor Swift kanë qenë një nga dyshet më të dashura të muzikës pop në skenë dhe jashtë saj. Por javët e fundit, mediat ndërkombëtare po flasin gjithnjë e më shumë për një krizë të mundshme në miqësinë e tyre.

Sipas Daily Mail dhe burimeve pranë këngëtarit britanik, dy janë “pikat e nxehta” që mund të kenë krijuar tension:

Fejesa e Taylor Swift me Travis Kelce, për të cilën sipas Ed ai ka mësuar vetëm nga Instagrami;
Publikimi i albumit të Taylor-it “The Life of A Showgirl” vetëm dy javë pas daljes së albumit të Ed Sheeran, Play, pas një fushate të gjatë promovimi nga ana e tij.
Miqësia mes tyre nis në vitin 2012, me bashkëpunimin “Everything Has Changed”. Ed më pas i bashkohet turit Red Tour si artist hapës, dhe që nga ajo kohë ata bëhen thuajse të pandashëm: pushime familjare së bashku, dhurata të punuara me dorë për Krishtlindje, madje edhe dy mace Scottish Fold si “simbol” i miqësisë së tyre. Taylor ka folur publikisht disa herë me superlativa për Ed-in, duke e quajtur një nga njerëzit që e ka ndihmuar më shumë në jetë dhe karrierë.

Alarmi për “ftohje” nisi kur, në një intervistë për SiriusXM, Ed Sheeran tregoi se lajmin e fejesës së Taylor-it e kishte marrë vesh nga rrjetet sociale. Për dy miq kaq të afërt, fakti që nuk është lajmëruar personalisht u duk i çuditshëm për fansat. Taylor u mundua ta shpjegojë më vonë te The Tonight Show Starring Jimmy Fallon, duke e justifikuar me faktin që Ed nuk përdor telefon dhe është “shumë ekscentrik”, ndaj duhet ta kërkosh në email ose FaceTime: “Kur doli lajmi, mendova: ‘Na iku nga mendja të telefononim Ed-in!’”.

Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga Daily Mail, problemi i vërtetë mund të jetë kalendari i publikimeve. Ed Sheeran thuhet se është ndier i irrituar nga fakti që, pasi ai njoftoi albumin Play katër muaj përpara, Taylor shpalli papritur albumin e saj dhe e publikoi vetëm tre javë më vonë, duke ia marrë një pjesë të vëmendjes mediatike. “Ekipi i tij është dashur të luftojë që albumi i Ed-it të kishte maksimumin e fokusit, përpara se gjithçka të dominohej nga Taylor”, ka thënë një insider, duke shtuar se “nuk është hera e parë që Taylor vepron kështuështë në stilin e saj”.

Vetë Ed Sheeran, i pyetur nga Access Hollywood, ka zgjedhur të ulë tonet:
“Unë nuk ndihem në siklet për raportin tim me të. Jemi miq prej shumë vitesh. Jemi shumë të lidhur dhe kur shihemi, është sikur vazhdojmë aty ku e kemi lënë”. Ai shpjegoi se pas intervistës, e ka takuar Taylor-in një javë më vonë dhe kanë folur katër orë, duke prekur shumë tema nga jeta e përditshme dhe karriera. Për zgjedhjen e tij që të mos ketë telefon, ai shtoi: “Më duket sikur, nëse jam gjithë kohës ‘në kontakt’ me të gjithë, e humbas kontaktin e vërtetë njerëzor”.

A është pra kriza reale, apo thjesht keqkuptime të ushqyera nga ritmi i çmendur i showbiz-it dhe mungesa e komunikimit “old school”? Për momentin, Ed këmbëngul se miqësia qëndron e fortë. “Testi final” i syrit publik ndoshta do të jetë lista e të ftuarve në dasmën e shumëpritur të Taylor Swift dhe Travis Kelce: nëse emri i Ed Sheeran do të jetë aty, fansat do të marrin sinjalin që duan se dy nga miqtë më të famshëm të pop-it janë ende në të njëjtën anë.