
Karriera e Jacob Elordit është në ngjitje të lirë: nga Euphoria dhe Deep Water, te Saltburn dhe Priscilla, e tani deri tek Frankenstein dhe një remake i ri i Cime Tempestose me Margot Robbie. Sot ai është një nga aktorët më të komentuar të brezit të vet por rruga deri këtu nuk ka qenë aspak e lëmuar.
Para roleve të errëta, komplekse dhe të vlerësuara nga kritika, Elordi ishte “djali i Netflix-it”: fytyra e trilogjisë romantike The Kissing Booth. Siç shpesh u ndodh aktorëve që nisin me teen movie dhe rom-com, rreziku i mbetjes peng i një imazhi të vetëm ishte aty dhe komentet mizore në rrjet nuk mungonin.
Një prej tyre, në vend që ta shkatërronte, e bëri pikërisht atë që është sot.
Komenti që “dërrmoi” dhe që sot tingëllon si profeci
Gjatë një eventi promocional për Frankenstein, Elordi tregoi një episod që i ka mbetur ngulitur në mendje:
“Kur kisha bërë filmin tim të parë, The Kissing Booth…”,-nis ai, ndërsa publiku qesh dhe ai ia kthen: “Po, po, faleminderit. Netflix, baby!”.
Pastaj shton: “Lexoja tweet-e për veten time dhe njëri thoshte:
‘Ky dru i palëvizshëm nuk mund të luajë asgjë tjetër veç krijesës së Frankenstein-it’.
Isha 22 vjeç kur e lexova dhe më kujtohet që mendova:
‘Në fakt, është ide fantastike.’”
Në krah të tij, regjisori Guillermo del Toro qesh me gjithë qejf. Por pas batutës ka një mësim brutalisht të thjeshtë: ndonjëherë një koment negativ mund të kthehet në drejtim, jo në dënim. Jo “mallkim”, por manifestim.
Ajo që mund të kishte qenë thjesht një fyerje e hidhur, Elordi e mori si propozim:
nëse mendoni se jam “dru” i bërë për Frankenstein… pse jo?
Vite më vonë, ai jo vetëm luan Krijesën tek Frankenstein, por e bën në mënyrë të tillë që kritika dhe publiku të mbeten pa fjalë. Jo vetëm për fizikun e tij që duket sikur është prerë për rolin, por për aftësinë që ka të bëjë një “përbindësh” të ndihet thellësisht njerëzor:
i brishtë
kureshtar
empatik
Me shumë pak fjalë dhe një mori nuancash në fytyrë, Elordi arrin ta kthejë krijesën në pasqyrë të asaj që shumica prej nesh e kanë ndjerë të paktën njëherë: ndjesinë se je jashtë lojës, jashtë vendit, “outcast”.
Jo rastësisht, shumë shikues kanë thënë se do donin ta kishin mik: dikush me të cilin të ndash një gjethe të vogël të zgjedhur me zemër, të flasësh për libra, apo të humbasësh në biseda mbi kuptimin e jetës.
