Ishujt grekë mbeten një ndër eksperiencat më të veçanta që Mesdheu ofron. Jo vetëm për ujërat kristal, por edhe për autenticitetin e ndërtesave të bardha, prekjen e blusë, muzikën e bukur dhe aromën e luleve në çdo peisazh.

Santorini i perëndimeve, fshatrave piktoreskë dhe hotelerisë së luksit, ndodhet vetëm tridhjetë e pesë minuta larg Ios, ishullit bohem me harmoninë e përsosur mes qetësisë së ditës dhe jetës rinore të natës.

Nga Ios udhëtimi vazhdon drejt Paros, fenomeni i ri i Cyclades, me shtëpitë e bardha dhe lulet “Bougainvillea” nëpër fasadat e tyre me konturet bojëqielli, si edhe portin boho-chic Naoussa me baret dhe restorantet që përfshijnë Barbarossa apo Medusa. 

Paros i lë rradhën Naxos, ku do të shijoni plazhet me rërën e artë si Agios Prokopios apo Plaka, gjiret e paprekura dhe kuzhinën fantastike. Destinacioni i parafundit është ai i të pasurve, Mykonos, pulsi i klubeve në plazh, jetës së natës, muzikës dhe shampanjës. 

Për ta mbyllur këtë udhëtim me Milos, strehën e peshkatarëve me fshatrat Klima, Mandrakia, si edhe ishulli i ngjyrave vibrante dhe të pazakonta. Keni vizituar ndonjë nga këto ishuj?