
Orinda Huta nuk është më pjesë e përditshmërisë televizive, por kjo nuk do të thotë se është larguar nga publiku. Përkundrazi. Ajo ka ndërruar “skemën”: nga studio tradicionale tek mikrofoni i podcast-it, dhe sot “Mam” është kthyer në një prej formateve më të konsumuara kur vjen puna te prindërimi, nënat, baballarët dhe të gjitha dilemat që lindin mes lodrave, panikut dhe dashurisë pa manual.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Orinda foli hapur për vendimin e saj për t’u shkëputur nga televizioni dhe për t’iu dedikuar botës së podcasteve. Ajo tregoi se gjithçka nisi natyrshëm, pasi erdhi në jetë vajza e saj, Atara.
“Ritmi i televizionit nuk më linte hapësirë për familjen,” tha ajo, duke pranuar se oraret, presioni dhe detyrimet e ekranit nuk përputheshin më me rolin e ri si nënë. Podcast-i, sipas saj, ishte jo thjesht një zgjedhje profesionale, por një vendim për stil jete.
Por largimi nga televizioni nuk ishte aspak “sakrificë” financiare. Përkundrazi.
“Të ardhurat janë vërtet të mira dhe janë tek unë, të gjitha. Plus Instagrami ka të ardhurat e veta dhe kur bashkohen bëjnë një paketë shumë të fortë,” –shpjegoi Orinda, duke e pranuar pa komplekse se modeli i ri i punës i jep më shumë liri dhe stabilitet ekonomik.
“Ke pjesën e kohës që e ke totalisht tënden, mund të bësh shumë gjëra të tjera që ty të duhet të bësh, të hapësh edhe një biznes tëndin... Në televizion duhet të jesh aty, është respekti, të ftuarit, ekipi, oraret. Unë këtë kohën nuk e doja më në këtë formë.”
