
Pas një periudhe pauze nga ekrani, Françeska Murati po kthehet aty ku nisi gjithçka për të: në Top Channel. E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ajo konfirmoi se këtë sezon do ta shohim si opinioniste në “Big Brother Fan Club”, në edicionin e pestë të spektaklit.
“Me shumë kënaqësi do rikthehem te vendi që më ka dhënë gjithë vëmendjen dhe më ka dhënë një hapje shumë të madhe për të nisur një jetë kaq të bukur në Shqipëri. Unë do jem këtë vit opinioniste në ‘Fan Club’. Jam shumë e lumtur,” u shpreh Françeska, duke e quajtur Top Channel një lloj “stacioni të parë” në rrugëtimin e saj publik.
Natyrisht, kush e njeh Françeskën, e di që moda nuk mund të mungonte në këtë rikthim. Ajo pranoi me buzëqeshje se pyetja e parë që ka bërë kur i është ofruar roli ka qenë: “Kush do jetë krah meje?”.
“Kur më janë thënë emrat, sidomos i moderatores, thashë ‘jemi lart’. Rikthimi im është kërkuar shumë edhe për veshjet që janë përfolur, por edhe vajza që është moderatore është përfolur shumë për veshjet, ndaj do kemi konkurrencë,” tha ajo, duke lënë të kuptohet se përveç komenteve për lojën, pritet edhe një duel stili në studio.
Pjesë e thashethemeve ka qenë edhe emri i Jozefin Markut, i cili përflitet si opinionisti tjetër që mund të jetë krah Françeskës. Gjatë emisionit, Rudina Dembacaj e telefonoi live për ta pyetur nëse do t’i bashkohet panelit. Përgjigjja e tij mbeti në zonën gri:
“Si fillim, urime për kolegen. Unë edhe jam, edhe s’jam. S’është se kam firmosur ndonjë kontratë, pyesni Françeskën për më shumë detaje,” u shpreh Jozi, duke mos e mbyllur as derën dhe as duke e hapur plotësisht.
