
Lahuta shqiptare, një nga simbolet më të vjetra të trashëgimisë sonë, është shpallur zyrtarisht pjesë e listës së UNESCO-s për trashëgiminë kulturore jomateriale, si element që kërkon mbrojtje urgjente. Ky është një lajm i shumëpritur, si nga studiuesit, ashtu edhe nga komunitetet ku lahuta ende jeton si traditë.
Arti i krijimit, i të luajturit dhe i të kënduarit me lahutë, prej shekujsh ka qenë një nga shenjat më identifikuese të kulturës shqiptare. Këngët me lahutë kanë përcjellë histori trimërie, dashurie për atdheun, qëndrese dhe nderi, kryesisht në zona rurale dhe sidomos në trevat malore. Si instrument i thjeshtë në pamje, por i ngarkuar me simbolikë, lahuta ka qenë gjithmonë një rrëfim më vete për mikpritjen dhe kodin e nderit të shqiptarëve.
Lahuta është ruajtur me fanatizëm në disa krahina kyçe: Malësia e Madhe, Malësia e Gjakovës, Dukagjini, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia zona ku ende gjen lahutarë që e mbajnë gjallë traditën me gojë e me tingull.

Përfshirja e saj në UNESCO nuk ka ardhur rastësisht. Pas një pune të gjatë kërkimore dhe dokumentuese, një grup ekspertësh dhe studiuesish Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge kanë ndërtuar dosjen që më pas u dorëzua në UNESCO në mars të vitit 2024. Ata bashkëpunuan ngushtësisht me komunitetet lokale, udhëtuan në terren, regjistruan këngë, instrumente dhe rrëfime, duke ndërtuar një panoramë të plotë të këtij tradicioni.
Me këtë vendim, lahuta nuk është më thjesht një instrument i së kaluarës, por një pasuri e njohur ndërkombëtarisht, që kërkon dhe meriton mbrojtje, promovim dhe transmetim tek brezat që vijnë.
