Gjykimi për akuzat e ngacmimit seksual që Blake Lively ka ngritur ndaj Justin Baldonit është shtyrë me dy muaj.

Të martën, gjykatësi Lewis J. Liman vendosi që procesi gjyqësor, i cili fillimisht ishte parashikuar të nisë më 9 mars 2026, të zhvendoset për më 18 maj, për shkak të axhendës së tij tepër të ngarkuar, raportoi revista People.

Gjatë seancës pas përfundimit të fazës së hetimeve, gjykatësi sqaroi se ka dy procese penale në kalendar dhe se, sado i rëndësishëm të jetë ky rast, çështjet penale kanë përparësi.

Sipas Page Six, është kërkuar koment nga përfaqësuesit e të dy aktorëve, por deri tani nuk është marrë përgjigje.

Në dhjetorin e kaluar, aktorja 38-vjeçare, e njohur nga “Gossip Girl”, paditi Justin Baldonin duke e akuzuar për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”. Aktori i “Jane the Virgin” i ka mohuar akuzat.

Në janar, Baldoni, 41 vjeç, u kundërpërgjigj me një padi prej 400 milionë dollarësh ndaj Lively-t, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe publicistes së tyre, duke i akuzuar ata për shpifje, shantazh dhe akuza të tjera.

Megjithatë, në qershor, një gjykatës hodhi poshtë padinë për shpifje të regjisorit, si edhe padinë prej 250 milionë dollarësh për fyerje ndaj “New York Times”.

Gjykatësi Liman arsyetoi se Baldoni dhe kompania e tij e prodhimit, Wayfarer Studios, nuk kanë paraqitur pretendime se Lively është përgjegjëse për ndonjë deklaratë tjetër përveç atyre në ankesën e saj pranë Departamentit të të Drejtave Civile në Kaliforni, deklarata që konsiderohen të mbrojtura ligjërisht.

Baldoni dhe ekipi i tij ligjor kishin mundësi të riformulonin padinë, por muajin e kaluar gjykatësi dha vendimin përfundimtar duke konstatuar se ai dhe bashkëpaditësit e Wayfarer Studios kanë zgjedhur të mos depozitojnë një padi të rishikuar.

Gjykatësi shpjegoi se padia e Baldonit pretendonte që Reynolds dhe publicistja Leslie Sloane, si edhe “New York Times”, kishin bërë deklarata të tjera ku ai akuzohej për sjellje seksuale të papërshtatshme dhe se ndaj Wayfarer it ishte ngritur akuza se kishte nisur një fushatë njollosjeje. Sipas gjykatësit, Wayfarer dhe Baldoni nuk kanë treguar se Reynolds, Sloane apo “Times” kishin arsye serioze të dyshonin për vërtetësinë e atyre deklaratave, siç kërkohet nga ligji për të pasur përgjegjësi për shpifje.

Data e radhës për seancën gjyqësore mes Lively dhe Baldonit është caktuar më 22 janar dhe do të përfshijë dëgjimin e palëve për kërkesat e tyre për vendim të përmbledhur.