
Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet u shfaqën në premierën e filmit “Marty Supreme” në Los Angeles mbrëmjen e së hënës, të veshur me komplete lëkure portokalli nga Chrome Hearts një koordinim i denjë për t’u krahasuar me xhinsin ikonik të Britney Spears dhe Justin Timberlake në American Music Awards 2001.
Por këtë herë, zgjedhja e ngjyrës nuk ishte thjesht një çështje estetike.
Veshjet e tyre portokalli i referoheshin ngjyrës kryesore të filmit. Është i njëjti ton si i topthave të pingpongut që përdor personazhi i Chalamet në film. Portokallia është kthyer në ngjyrën-simbol të “Marty Supreme”, për shkak të një elementi në fabul, ku Marty Mauser, lojtar profesionist i pingpongut, vendos të zëvendësojë topthat e bardhë me ata portokalli që duken më mirë. Aktori 29-vjeçar është futur krejtësisht në këtë “lojë” vizuale, duke zgjedhur portokallen për shumicën e shfaqjeve dhe promovimeve.

Së bashku me stilistin Taylor McNeill, Chalamet ka zgjedhur një lloj “method dressing” për premierën në Bregun Perëndimor: një xhaketë lëkure portokalli me një rresht kopësash dhe pantallona të gjera, të zbukuruara me kopsa në formë kryqesh argjendi, mbi një këmishë sateni po në portokalli gjithçka e punuar enkas nga Chrome Hearts. Pamjen e ka mbyllur me çizmet Timberland x Chrome Hearts dhe një çantë të zezë lëkure në formë rakete pingpongu, e hedhur krah çiftes, një tjetër homazh për Marty Mauser.
Kylie Jenner, 28 vjeç, ka punuar me stilistet e saj, motrat Alexandra dhe Mackenzie Grandquist, për t’u përshtatur deri në detaj me të dashurin. Ajo ka dalë në tapetin e kuq me një fustan lëkure portokalli deri në fund të këmbës, me dekolte të thellë dhe prerje trekëndore në bel. Edhe thonjtë akrilikë “coffin-shaped” kanë qenë në të njëjtën ngjyrë. Pamjen e ka kompletuar me një varëse të gjatë të mbushur me kryqet karakteristike të Chrome Hearts.

Zgjedhja e brandit nuk është rastësore. Chrome Hearts është prej vitesh një nga të preferuarit e familjes Kardashian–Jenner. Kim Kardashian ka veshur një set krokodili të personalizuar nga kjo markë në Met Gala 2025, ndërsa Kylie ka madje edhe një karrocë fëmijësh të punuar posaçërisht nga label-i, i njohur për çmimet e kripura (edhe një lodër e vogël për bebe kushton mbi 2.000 dollarë).
Përderisa idetë për monumentet kanë mbetur vetëm në letër, balona portokalli dhe, mesa duket, edhe “dress code”-i i premierës, kanë dalë nga faza e konceptit dhe janë bërë realitet. “Marty Supreme”, me regji të Josh Safdie, do të shfaqet në kinema më 25 dhjetor dhe duket se, deri atëherë, portokallia do të jetë ngjyra e sezonit.
