Në Athinë ka një rikthim të sofistikuar te vitet e arta ’60, kur yjet e kinemasë dhe aristokracia evropiane zbrisnin në brigjet greke për pushime diskrete dhe elegante. Sot, kjo atmosferë “jet-set” është rishkruar në mënyrën më luksoze të mundshme nga One&Only Aesthesis, hoteli që është kthyer në një nga adresat më të përfolura të momentit në Europë.

I pozicionuar në zonën bregdetare të Glyfada-s, vetëm rreth 30 minuta nga qendra e Athinës, hoteli shtrihet në një hapësirë të gjelbër me pisha. Arkitektura dhe dizajni janë frymëzuar nga modernizmi mesdhetar i viteve ’60, me linja të pastra, tone natyrale dhe materiale si gur, dru dhe mermer, duke krijuar një estetikë që është njëkohësisht retro dhe bashkëkohore.

Struktura përfshin dhoma elegante, suita me pamje nga deti dhe “bungalow” private – disa prej tyre me pishina individuale. Hapësirat janë të dizajnuara për privatësi dhe qetësi, me dritë natyrale, tekstura të buta dhe një ndjesi rezidence verore më shumë sesa një hotel tradicional.

Një nga elementët që e bën kaq tërheqës është plazhi privat dhe atmosfera e “beach club”-it ekskluziv. Ditët kalojnë mes notit në ujërat e kristaltë, koktejve në perëndim dhe darkave "fine dining" buzë detit. Gastronomia është një tjetër pikë e fortë. Restorantet e hotelit e kanë fokusin në kuzhinën mesdhetare me produktet e freskëta lokale dhe prezantimet elegante. 

One&Only Spa është konceptuar si një strehë qetësie mes pishave. Ajo përfshin dhoma trajtimesh private, momente "wellness" të personalizuara, sauna dhe ambiente relaksi të dizajnuara me dritë natyrale dhe materiale organike. Fokus i veçantë i jepet trajtimeve që kombinojnë teknikat moderne me elementë mesdhetarë, duke krijuar një eksperiencë rigjeneruese, intime, si edhe duke e kthyer hotelin në një arratisje të ëmbël për pushuesit.