
Loredana ka folur publikisht për herë të parë për njohjen dhe lidhjen me Karim Adeyemi-n, futbollistin gjerman të Borussia Dortmund, gjatë një interviste në emisionin “Mirëmbrëma Yje” me Arbana Osmanin.
Ajo tregoi se në fillim u desh rreth një vit që të dy të kuptonin çfarë po ndodhte mes tyre dhe nëse duhej ta nisnin seriozisht lidhjen. Sipas saj, arsyeja kryesore ishte diferenca e moshës dhe përvojat e ndryshme të jetës: kur u njohën, Loredana ishte 27 vjeç, ndërsa Karim 21. Ajo e përshkroi periudhën e parë si një fazë ku vetë e shihte raportin jo serioz, me shumë pikëpyetje dhe rezerva, nga mendimi se ai ishte “shumë i ri” deri te pyetjet se si do të reagonte familja e saj. Megjithatë, me kalimin e kohës, tha se e kuptoi se pjekuria e tij nuk përputhej me moshën, madje e përshkroi si jashtëzakonisht të pjekur.
Tema e moshës, sipas Loredanës, ishte një nga diskutimet më të shpeshta në fillimet e tyre. Ajo tregoi se Karim i kërkonte vazhdimisht të mos e sillte më si argument, duke insistuar se ndihej i pjekur. Nga ana tjetër, Loredana i kthente se ai nuk kishte kaluar përvojat që kishte kaluar ajo. Sot, pas katër vitesh bashkë, ajo tha se nuk e ndien më si pengesë, madje solli edhe krahasimin e moshës aktuale: ajo 30, ai 24. Loredana shtoi se, edhe pse kishte menduar se do të ishte ajo me më shumë eksperiencë, me kohë ka kuptuar se Karim, sipas saj, e kishte kuptuar jetën pa pasur nevojë për të njëjtat përvoja, duke e vendosur “në një nivel” më të mirë.
Një element vendimtar për ta parë ndryshe këtë lidhje, Loredana tha se ishte raporti i Karim-it me vajzën e saj, Hanën. Ajo tregoi se në takimet e para, ai e pyeste pse nuk e merrte edhe vajzën me vete, ndërsa ajo ndihej në siklet dhe e mbante Hanën të mbrojtur maksimalisht, me frikën se mos e njihte shumë shpejt me dikë. Por momentet kur e pa Karim-in me Hanën, i përshkroi si përcaktuese, duke nënkuptuar se aty e kuptoi se kishte përballë njeriun e duhur.
Sa i përket familjes së saj, Loredana tregoi se të afërmit e saj i kanë lënë hapësirë vendimeve të saj dhe kanë pasur besim tek ajo, me qasjen se ajo do të bëjë atë që e ndien vetë. Ajo theksoi se raporti mes nënës së saj dhe Karim-it është shumë i mirë dhe se nëna e do shumë. Po ashtu, Loredana u shpreh se edhe marrëdhënia e saj me prindërit e Karim-it është pozitive.
Në fund, ajo preku edhe temën e zgjerimit të familjes. Loredana tha se ka shumë dëshirë për fëmijë, por se është ende e lënduar dhe e ndikuar nga ajo që e quajti traumë e martesës së parë, ndaj ka frikë dhe do ta mendojë gjatë përpara se të ndërmarrë hapa seriozë. Ajo e bëri të qartë se martesa për të është diçka e shenjtë dhe se do të donte që martesa e ardhshme të ishte e fundit, jo një seri martesash të përsëritura.
