Marsi është muaji i artë i udhëtimeve. Jashtë sezonit të lartë, para fluksit të pranverës dhe me një ndërthurje perfekte të motit të butë dhe çmimeve shumë më të ulëta. Në disa prej destinacioneve më të dëshiruara të Europës dhe Mesdheut, diferenca nga marsi në maj–qershor mund të arrijë deri në 40–60%.

Një nga perlat e Bregut Amalfi është Positano, simboli i verës italiane me shtëpi pastel që shtrihen mbi det, “bougainvillea” dhe tarracat panoramike. Në verë çmimet rriten ndjeshëm dhe rrugicat mbushen me turistë, por marsi sjell një atmosferë krej tjetër. Hotelet “boutique” hapen me tarifa “soft season”, restorantet janë më intime, peizazhi ka një qetësi filmike dhe temperaturat janë ideale për një arratisje romantike. 

Nice sjell elegancën franceze në dritën mesdhetare me Promenade des Anglais, qytetin e vjetër dhe tregjet lokale. Në mars, mund të gjeni hotele me pamje nga deti me çmime dukshëm më të ulëta, ndërsa moti shpesh arrin 15–18°C me diell. Është periudha më e mirë për një pushim, vizita në muze, galeri arti dhe darka elegante pa rezervime të nevojshme që javë më parë.

Santorini mund të jetë vendi më i kërkuar për festat dhe peisazhin në verë, por kjo vjen edhe me çmimet e kripura. Në mars, kaldera dhe perëndimet dramatike nuk e humbin hijeshinë, vetëm turmat. Shumë hotele me jacuzzi private apo infinity pools ofrojnë tarifa deri në gjysmën e sezonit të lartë. Temperaturat janë të freskëta, ideale për eksplorim, degustime vere dhe foto ikonike në Oia. 

Formacionet shkëmbore unike dhe balona shumëngjyrëshe që ngrihen në agim të Cappadocias, e bëjnë destinacionin të pavarur nga plazhi apo deti, prandaj marsi funksionon shumë mirë. Hotelet “shpella” luksoze ofrohen me çmime shumë më të mira sesa në prill–maj. Nëse moti të lejon, fluturimi me balonë është një nga përvojat më të paharrueshme në rajon.

Marrakech në verë mund të jetë shumë i nxehtë. Marsi, ndërkohë, ofron temperatura perfekte (18–25°C) për të eksploruar kopshtet dhe verandat panoramike. Shtëpizat tradicionale me oborre të brendshme dhe pishina janë dukshëm më të përballueshme jashtë sezonit të lartë. Është momenti ideal për hammam, spa, shopping dhe darka romantike nën qiellin afrikan.

Kur qytetet marrin frymë më qetë, përvojat bëhen më intime. Nga brigjet e Italisë dhe Francës, te ishujt grekë apo peizazhet ekzotike të Afrikës së Veriut, kjo periudhë ofron të njëjtën madhështi, por me një ritëm larg turmave dhe me çmime shumë më të arsyeshme.