
Këngëtarja Dua Lipa, dhe partneri i saj, aktori Callum Turner, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni magjike në Siçili të Italisë.
Festimet luksoze, të cilat zgjatën për tri ditë, u mbajtën në Bagheria, pranë Palermos, duke mbledhur miq, familjarë dhe personazhe të njohur të artit.
Një nga momentet më emocionuese dhe të veçanta të kësaj dasme ka qenë surpriza e organizuar nga komuniteti historik arbëresh i Siçilisë. Banorët e zonës së njohur “Piana degli Albanesi” kanë udhëtuar drejt vilës për t’i bërë një nderim special nuses shqiptare.
Një delegacion i përbërë nga dhjetë vajza të veshura me kostumet madhështore e tradicionale të Piana degli Albanesi ka magjepsur të pranishmit. Ato kanë interpretuar këngë të vjetra e sugjestive arbëreshe, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë të rrënjëve shqiptare në zemër të Siçilisë.
Përveç muzikës, artistët dhe mjeshtrit argjendarë vendas i kanë dhuruar çiftit të sapomartuar një kujtim të çmuar. Ata kanë krijuar plotësisht me dorë vathët tradicionalë të zonës të njohur si “Panieri”, një vepër arti artizanale që simbolizon trashëgiminë e pasur kulturore arbëreshe.
