Sikur të mund të kishim makinën e kohës, në cilën epokë do të donim të jetonim vallë? Sa shumë miq kemi dëgjuar, sa shumë filma kemi parë e sa njerëz kemi takuar që të fiksojnë pafund me fiksimin e tyre për të jetuar në një tjetër kohë. “S’jam për këtë kohë unë jo, duhej të kisha lindur në 1900-ën, aristokraci, klas, kulturë, art, e jo xhinse të grisura dhe Iphone”, është shprehja e tyre më tipike, dhe vërtet kur e mendon, nuk duket dhe aq ide e keqe të jetosh në një kohë tjetër sepse fundja, të gjithë adhurojmë diçka nga e kaluara, apo jo? E nëse do të na pyesnin se ku duhet të ndalojë makina e kohës për ne, përgjigjja është një dhe e vetme: në vitet e stilit vintage, ku më shumë se kurrë, femrat dukeshin femra e meshkujt meshkuj dhe më së shumti, në “Golden Age of Hollywood”, në kohën e artë të Holliwood-it, sepse ëe are so retro girls dhe këtë gjë s’mund ta fshehim dot! E meqë këto fantazi maksimumi mund të bëhen vetëm filma e kurrë realitet, kthehemi me këmbë në tokë dhe shohim sesi mund të jetojmë sot, me stilin e së kaluarës. Duket interesante…

Ina

Të qenët Retro, shkurtim i fjalës retrospective, do të thotë të vishesh në stilin e një kohe të kaluar dhe ne do të donim të visheshim pikërisht në stilin e viteve ’50-’60, me rripa në bel, flokë me onde, truk të pastër, këmisha të lidhura, funde nën gju, pantallona me shtat të lartë, syze “cat eye” ose të bardha e të mëdha, valixhe katrore lëkure, shallë të vegjël rreth qafës dhe pelush fake ekologjik! Çfarë gardërobe ëndërr! E shikoni dhe ju se sa shumë elementë të atij stili i gjejmë edhe sot? Për të mos folur pastaj për tipin e femrave asokohe! Me kë t’ia nisim, me shprehjen “në qoftë se e do mëngjesin në krevat, fli në kuzhinë” apo me “e gjeta vodkën, ishte brenda lëngut tim të portokallit”. Eh kot nuk thonë që femrat janë truri i botës dhe ironia është gjuha e tyre mëmë! Vintage proves that më së miri. Super të kuruara, amvisa të shkëlqyera, nëna të përkushtuara dhe partnere perfekte, femrat e atyre kohërave kanë gjithë arsyet e botës për të frymëzuar edhe sot shumë nga ne…

Livia

Dhe në fund, po e mbyllim me një këshillë bukurie nga një ndër femrat ikonë të atyre viteve, Audrey Hepburn: “Vajzat e lumtura janë më të bukurat!” Dëgjojeni sepse ka të drejtë dhe në qoftë se ju jeni vintage nuk ka sesi të mos jeni të tilla!

Se për pak harruam, nëse dikush ju quan old fashioned? Thuajuni thjesht faleminderit dhe se old fashioned është pikërisht koktejli juaj i preferuar, me sheqer, whiskey, bitter! Vërtet fantastik.

Të duam shumë vintage style sepse koha ikën, por ti mbetesh!

-Nga biondet dhe brunet e vitit 2016 ;)