
Albërije Hadërgjonaj ka folur sërish për raportin e saj me Ardit Gjebrean, duke rikthyer në vëmendje përplasjen që pati me moderatorin pas pjesëmarrjes në festivalin "Kënga Magjike".
E ftuar në emisionin "Live From Tirana", këngëtarja u ndal te ky episod, duke treguar se gjithçka nisi pasi kënga e saj nuk arriti të kualifikohej në finalen e festivalit.
Sipas Albërijes, rezultati i asaj gare habiti shumë njerëz dhe reagimi i saj pas festivalit solli edhe krisjen e marrëdhënies me Ardit Gjebrean.
"U çuditën të gjithë njerëzit kur kënga ime nuk hyri në finale. E kam thënë edhe te 'Kënga Magjike', Arditit i ka ngelur hatri, patëm një përplasje", u shpreh ajo.
Këngëtarja theksoi se karriera e saj është ndërtuar falë talentit dhe punës ndër vite, duke shtuar se nuk ka nevojë për miratimin e askujt për t'u konsideruar artiste.
"Mua nuk më bën artiste as Ardit Gjebrea dhe asnjë njeri në botë. Mua më ka dhënë Zoti një talent dhe kam punuar fort. Unë nuk jam servile, mua nuk më bëhet vonë për askënd në botë. Unë jam Albërije Hadërgjonaj dhe kërkoj drejtësi", deklaroi këngëtarja.
