George Floyd u vra dhe gjithçka u filmua nga një telefon! Oficeri i policisë në Minneapolis, Derek Chauvin tashmë i arrestuar, i kishte vendosur gjunjtë e tij rreth qafës së të ndjerit për afro tetë minuta. Në regjistrimin me celular, dëgjohen shpesh thirrjet përsëritëse të viktimës: "Nuk marrë dot frymë", ndërsa oficeri i policisë nuk dorëzohej deri sa George të vdiste nën presionin e gjurit të tij. Dhe pse ndodhi e gjithë kjo? Sepse 46-vjeçari sipas pretendimeve të policisë po përpiqej të përdorte një faturë 20 dollarëshe të falsifikuar.  

Vdekja e Floyd-it ka ngjallur zemërim dhe protesta në Minesota, por edhe në të gjithë Amerikën. Duket se Covid-19 nuk e ndali zemërimin e oficerëve të policisë të "tokës së premtuar" dhe ëndrrës amerikane që të vrisnin një tjetër njeri me ngjyrë. Me një mijë të vdekur brenda ditës, me 100 mijë viktima në total nga koronavirusi, me afro 40 milionë të papunë efektiv mes tyre shumica afro-amerikanë, njerëzit me ngjyrë janë më të goditurit jo vetëm nga vala e "armikut" të padukshëm si Covid-19, por edhe atyre armiqve të identifikuar dhe me uniformë policie që i godasin pa mëshirë, edhe në shkeljen më të vogël që konstatojnë. Amerika është ngritur në këmbë, dhe protestat e dhunshme kanë qenë kryefjala e zhvillimeve prej fillimit të kësaj jave. Me maska në fytyrë dhe me kërkesën për të respektuar distancimin social, asgjë nuk i ndali njerëzit në Minesota, apo edhe në shtete të tjera të Amerikës që ta kthenin çështjen e Floyd në një kauzë me principin e nevojës për drejtësi për George Floyd dhe gjithë njerëzit e tjerë me ngjyrë që jetojnë e punojnë prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Statuja e Lirisë u "shkërmoq" para syve të gjithë botës, teksa gjuri i policit i mori jetën deri në frymën e fundit 46-vjeçarit Floyd.

Si mund të jetojë njeriu në një kohë të tillë, të çartë?! Çfarë ka në mendjet e atyre njerëzve të veshur me uniformë që arrijnë deri në akte të tilla ekstreme? Vallë janë të shkatërruar nga sëmundja e urrejtjes, e cila ka ngjyrën e lëkurës së të ndjerit Floyd e shumë të tjerëve që kanë ndërruar jetë ndër vite nga të tilla akte me bazë raciste? Afro-amerikanët që kanë humbur aktualisht punët dhe të dashurit e tyre, e që e gjejnë veten në rradhët e gjata në supermarkete e banka, teksa menaxhojnë stresin dhe problematikat që ka mbartur virusi i padukshëm, duhuet të përballen me "shuplakën" më të fortë, atë të racizmit, që dikur Martin Luther King e bërtiste më zë të lartë në çdo dalje tijën publike, gati 300 vjet më parë! Si duket panorama sot? Me po të njëjtat ngjyra, diku më të zbehta e diku më të theksuara. Një komb që administron mëkatet e tij raciste, teksa njerëzit deklarojnë hapur zemërimin e tyre pas çdo viktime me ngjyrë, si në rastin fatkeq të George Floyd.

Dhe janë njëherësh edhe njerëzit e bardhë ata që pyesin veten se si mund të ndodh kjo në Amerikën e sotme? Ata bërtasin për drejtësi!

Vdekja e George Floyd, së bashku me Breonna Taylorin apo Ahmaud Arbery, sjellin edhe njëherë në vëmendje shifrat alarmante të rasteve të vdekjes së njerëzve me ngjyrë për shkak të dhunës së policisë, çka vërteton edhe njëherë viktimizimin për shkak të ngjyrës së lëkurës. Terrori dhe traumat janë ende aty! Ndaj, njerëzit sot po e kthejnë në kauzë çështjen e drejtësisë për George Floyd. Minesota është në flakë, Amerika në tension, presidenti Donald Trump e ka quajtur turmën një "tufë rrugaçësh" dhe ka kërcënuar për përdorimin e armëve...Covid-19 nuk ka ndryshuar asgjë në botëkuptimin apo qasjen ndaj ngjyrës së lëkurës në Amerikën e lirive. Përkundrazi, i ka intesifikuar edhe më shumë gjërat!

Ata që duan të mësojnë të vërtetën, e bëjnë këtë përmes historisë, si shembulli më i mirë i gjithë zhvillimeve apo tjetërsimeve që i kanë ndodhur një shoqërie.

Por, që ndryshimi të vijë, të gjithë duhet të bëhen bashkë në Amerikën e Re të lirive dhe mundësive!